Kurti për shqiptarët e Luginës: Bashkimi në zgjedhje mund të jetë historik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar marrëveshjen e arritur mes përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci për një listë të përbashkët koalicioni në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti e ka cilësuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare si një hap të rëndësishëm, me synim arritjen e një rezultati që, sipas tij, mund ta bëjë marrëveshjen historike për shqiptarët e Luginës.
“Një hap i rëndësishëm ky i bashkimit me synim arritjen e një rezultati që këtë marrëveshje mund ta bëjë historike për shqiptarët e Luginës në përpjekjet kundër diskriminimit e përjashtimit, sikurse dhe kundër spastrimit etnik administrativ”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe për atë që e konsideron si asimetri në të drejtat e komuniteteve shqiptare në Serbi dhe atyre serbe në Kosovë.
“Të gjithë e dimë për asimetrinë e të drejtave, që është padrejtësi eklatante. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 ulëse nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës, e me këtë qasje shqiptarët e Luginës do të duhej të kishin së paku 5 ulëse të garantuara në Parlamentin e Serbisë, që numëron 250 ulëse”, u shpreh kryeministri.
Kurti tha se përfaqësimi i garantuar duhet të jetë parim që zbatohet në të dyja vendet.
“Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”, theksoi ai.
Në fund, Kurti e cilësoi bashkimin e subjekteve politike shqiptare në Luginë si një nismë mbi të cilën, sipas tij, duhet të punohet me besim dhe përkushtim.
“Kjo është një nismë e rëndësishme, mbi të cilën duhet ndërtuar me besim të ndërsjellë dhe me shumë punë e përkushtim”, tha Kurti. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.