Kuvendi shpall masa emergjente për energjinë në Kosovë, do të jenë në fuqi për 60 ditë
Pas paralajmërimeve të Qeverisë për vështirësitë në furnizimin me energji elektrike, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendosjen e masave emergjente për një periudhë 60-ditore.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.
Vendimi i propozuar nga Qeveria mori mbështetjen e 61 deputetëve, pasi kjo pikë u përfshi në rendin e ditës përmes një mocioni, gjatë seancës plenare që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
Me këtë vendim, institucionet e vendit hyjnë në një periudhë dy mujore të zbatimit të masave të veçanta për përballimin e situatës në sektorin energjetik.
Ndër masat e miratuara është obligimi për ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci” që të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.
Po ashtu, parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të ketë rol në trajtimin e situatës së krijuar në sektorin e energjisë, ndërsa institucionet publike do të obligohen të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike.
Vendimi i Kuvendit vjen pasi Qeveria e Kosovës kishte miratuar paraprakisht propozimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, me arsyetimin se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe problemet e brendshme të sektorit po e vështirësojnë situatën energjetike në vend.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se zhvillimet gjeopolitike gjatë këtij viti, veçanërisht konflikti në Iran dhe kufizimet në transportin e burimeve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë ndikuar në tregjet e gazit dhe energjisë elektrike në Evropë, përfshirë rajonin dhe Kosovën.
Sipas Kurtit, situata në vend vështirësohet edhe nga kapacitetet e kufizuara vendore të prodhimit të energjisë elektrike dhe bllokimi i linjave të transmetimit nga ana e Serbisë.
“Zhvillimet gjeopolitike të këtij viti, përfshirë veçanërisht konfliktin në Iran dhe kufizimin e transportit të burimeve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë tronditur tregjet e gazit dhe të energjisë elektrike në Evropë, përfshirë rajonin tonë dhe vendin tonë”, kishte deklaruar Kurti.
Ai kishte bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë kishte propozuar shpalljen e masave emergjente për dy muaj, me qëllim të përballimit të sfidave në furnizimin me energji.
Sipas tij, masat përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese prodhuese, përfshirë hidrocentralin e Ujmanit, për furnizimin e konsumatorëve të shërbimit universal, si dhe kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike.
“Qëllimi ynë është që t’i shfrytëzojmë në mënyrë sa më efikase kapacitetet ekzistuese dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë tonë”, kishte thënë kryeministri.
Megjithatë, miratimi i masave emergjente në Kuvend u shoqërua edhe me kritika nga opozita.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, kërkoi dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e bërë përgjegjëse për situatën në sektorin energjetik.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj sektorit të energjisë dhe mënyrën e rregullimit të këtij tregu.
Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin për statistikat e energjisë për muajin shtator 2026, tregojnë se konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje prej 10.74 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, gjatë shtatorit 2026 konsumi arriti në 386.10 gigavat-orë (GWh), nga 348.67 GWh sa ishte në shtatorin e vitit 2025.
Rritja është evidentuar në të gjitha kategoritë kryesore të konsumatorëve. Amvisëritë kanë konsumuar 200.41 GWh, me rritje prej 11.01 për qind, sektori komercial ka shënuar rritje prej 13.66 për qind, ndërsa industria prej 8.43 për qind.
Nga struktura e konsumit, amvisëritë përbënin 51.9 për qind të konsumit të përgjithshëm, sektori komercial 30 për qind, ndërsa industria 12.9 për qind.
Sa i përket shkëmbimeve të energjisë elektrike, gjatë shtatorit Kosova ka importuar 308.37 GWh dhe ka eksportuar 274.23 GWh, duke përfshirë edhe sasitë e transmisionit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, importi ka shënuar rënie prej 2.66 për qind, ndërsa eksporti është rritur për 2.24 për qind.
Në anën tjetër, prodhimi i thëngjillit gjatë shtatorit ishte 509 mijë e 853 tonë, duke shënuar rënie prej 1.12 për qind krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Një rritje e konsiderueshme është regjistruar te prodhimi i energjisë nga era dhe dielli, i cili sipas ASK-së është rritur për 96.23 për qind.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.