“La Repubblica”: Klima po ndryshon edhe diellin, rriten rrezatimet ultraviolet në Evropë
– Një studim ndërkombëtar me të dhëna nga 40 stacione evropiane ka zbuluar një rritje të rrezatimit ultraviolet (UV) gjatë dekadës 2013–2022, sipas medias italiane “La Repubblica”.
Në disa zona të Italisë, rritja arrin rreth 10%, ndërsa në Evropën qendrore tendencat janë më të theksuara.
Shkencëtarët e lidhin këtë ndryshim, kryesisht me pakësimin e vranësirave.
Në një verë të karakterizuar nga temperatura të larta, një faktor që dikur përdorej kryesisht për t’u mbrojtur nga shiu, po shërben gjithnjë e më shumë si mburojë ndaj diellit.
Bëhet fjalë për çadrat dhe pajisjet mbrojtëse kundër rrezatimit ultraviolet, përdorimi i të cilave po bëhet më i zakonshëm në vende të ndryshme.
Kjo prirje lidhet edhe me një problem, që studiuesit e konsiderojnë gjithnjë e më të rëndësishëm: sasia e rrezatimit ultraviolet që arrin në sipërfaqen e Tokës, është rritur në pjesë të mëdha të Evropës.
Një studim i ri ndërkombëtar ka analizuar për herë të parë në një shkallë të gjerë, të dhënat nga 40 stacione evropiane dhe ka konstatuar një rritje të konsiderueshme të rrezatimit UV në pjesën më të madhe të kontinentit.
Më shumë rrezatim UV në Evropë
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Photochemical & Photobiological Sciences”, pjesë e “Springer Nature”, përfshiu më shumë se 50 studiues dhe u bazua në matjet e kryera në 40 pika të ndryshme në Evropë gjatë viteve 2013–2022.
Studiuesit krahasuan matjet e rrezatimit UV në tokë me të dhëna satelitore, për rrezatimin diellor dhe kohëzgjatjen e ndriçimit diellor.
Rezultatet tregojnë se në 26 nga 40 stacionet pati një rritje statistikisht të rëndësishme të mesatares vjetore të rrezatimit UV.
Në këto pika, rritja mesatare ishte 1,2% në vit, ndërsa gjatë gjithë dekadës rritja mesatare e vlerësuar ishte rreth 11,2%.
Në disa pika, ndryshimi ishte edhe më i madh, duke arritur deri në rreth 26% gjatë periudhës 2013–2022.
Rritja nuk është e njëjtë në të gjithë kontinentin.
Sipas studiuesve, tendencat më të mëdha janë vërejtur në Evropën qendrore, ndërsa në jug dhe në veri ato janë përgjithësisht më të ulëta.
Në gadishullin Iberik, për shembull, pjesa qendrore dhe jugore nuk shfaq të njëjtin model rritjeje, si pjesët e tjera të Evropës.
Edhe Italia shënon rritje
Italia është ndër vendet ku janë evidentuar ndryshime të rëndësishme.
Në kuadër të studimit janë përdorur të dhëna nga katër stacione italiane: Aosta, Sesto Fiorentino, Roma dhe Lampedusa.
Sipas Henri Diémoz, nga ARPA Valle d’Aosta, i cili është një prej autorëve të studimit, në Aosta është evidentuar një rritje prej rreth 7% gjatë 10 viteve, ndërsa në Romë dhe Sesto Fiorentino rritja është afër 10%.
Në Lampedusa, në jug të Italisë, nuk është regjistruar një rritje e konsiderueshme.
Këto të dhëna përputhen me përfundimin e përgjithshëm të studimit se, Evropa qendrore është ndër zonat më të ekspozuara ndaj rritjes së rrezatimit UV.
Çfarë po e shkakton rritjen?
Studiuesit theksojnë se ndryshimi nuk shpjegohet thjesht me ndryshimin e shtresës së ozonit.
Faktori kryesor duket të jetë pakësimi i vranësirave, i cili lejon që një sasi më e madhe e rrezatimit diellor, të arrijë në sipërfaqen e Tokës.
Studimi konstaton gjithashtu rritje të rrezatimit të përgjithshëm diellor dhe të kohëzgjatjes së ndriçimit diellor, të dhëna që përputhen me rezultatet e matjeve të rrezatimit UV.
Ndikimi i aerosoleve rezulton përgjithësisht më i vogël dhe pjesërisht i maskuar nga efekti i vranësirave.
Studiuesi i ENEA-s Alcide Giorgio Di Sarra, një tjetër autor i studimit, e lidh rritjen kryesisht me uljen e mbulimit me re.
Pse është shqetësuese për shëndetin?
Rrezatimi ultraviolet është një faktor i njohur rreziku për dëmtimet e lëkurës.
Ekspozimi i tepërt mund të shkaktojë djegie nga dielli dhe dëmtime të tjera të lëkurës, ndërsa ekspozimi i akumuluar ndaj rrezatimit UV, lidhet me rritjen e rrezikut për kancere të lëkurës, përfshirë melanomën dhe kanceret jo-melanomë.
Autorët e studimit theksojnë se ndikimi i saktë i rritjes së vërejtur të rrezatimit UV ndaj shëndetit të njeriut, është i vështirë të përcaktohet me saktësi, pasi për shumë efekte të rrezatimit UV mungojnë ende marrëdhënie të plota dozë–përgjigje.
Megjithatë, lidhja mes ekspozimit ndaj UV dhe kancereve jo-melanomë të lëkurës është ndër më të dokumentuarat.
Verës i shtohet një tjetër rrezik
Studiuesit nënvizojnë se muajt e verës kanë rëndësi të veçantë për mbrojtjen nga rrezatimi, pasi në këtë periudhë nivelet e UV janë më të larta dhe ndikimi i tyre ndaj shëndetit është më i madh.
Për këtë arsye, rritja e rrezatimit UV e evidentuar në studim, e bën edhe më të rëndësishme mbrojtjen gjatë ekspozimit në diell, veçanërisht gjatë orëve kur rrezatimi është më intensiv.
Një tjetër ekspert i intervistuar nga “la Repubblica” thekson rëndësinë e përdorimit të kremit mbrojtës dhe të shmangies së ekspozimit në orët e nxehta të ditës, veçanërisht te fëmijët.
Sipas tij, një pjesë e madhe e djegieve nga dielli ndodh gjatë 20 viteve të para të jetës.
Studimi arrin në përfundimin se rritja e rrezatimit UV në sipërfaqen e Tokës është një fenomen i përhapur në pjesën më të madhe të Evropës dhe se pakësimi i vranësirave është faktori kryesor, që po e nxit këtë ndryshim.
Për autorët, monitorimi më i madh i rrezatimit është i domosdoshëm për të vlerësuar më mirë pasojat ndaj shëndetit dhe për të përmirësuar masat parandaluese. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.