Lamtumirë Fulvio Lucisano, producenti i njohur që i dha formë kinemasë italiane
ROMË, 28 gusht, ATSH/ Ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare producenti i njohur italian Fulvio Lucisano, një prej figurave më të rëndësishme të kinemasë italiane dhe përfaqësuesi i fundit i një brezi producentësh që, me guxim dhe pasion, kontribuan në zhvillimin e kinemasë së vendit.
Me një karrierë që zgjati rreth 70 vjet, Lucisano themeloi në vitin 1958 kompaninë e prodhimit Italian International Film, ndërsa më vonë krijoi edhe Lucisano Media Group. Ai drejtoi gjithashtu shoqatën e industrisë kinematografike italiane, ANICA, nga viti 1998 deri në vitin 2001.
I lindur në Romë më 1 gusht 1928 dhe me origjinë nga Kalabria, Lucisano u diplomua në Drejtësi dhe e nisi karrierën në Institutin Luce, ku u mor me prodhimin e dokumentarëve. Prodhimi i tij i parë ishte “Ai margini della città” i Giorgio Ferronit, në vitin 1954.
Gjatë një karriere të pasur, ai qëndroi pas shumë filmave të rëndësishëm të kinemasë italiane, duke bashkëpunuar me emra të njohur si Mario Bava, Mauro Bolognini, Alberto Sordi, Marco Ferreri, Lina Wertmüller dhe Francesca Archibugi. Në filmografinë e tij spikasin “Terrore nello spazio”, “Tre tigri contro tre tigri”, “Il tassinaro”, saga “Fantozzi”, “Diario di un vizio”, “Ninfa plebea” dhe “Il grande cocomero”.
Lucisano u dallua veçanërisht për aftësinë për të besuar te regjisorët e rinj dhe për të investuar te talentet që do të bëheshin pjesë e së ardhmes së kinemasë italiane. Ndër projektet më të rëndësishme të karrierës së tij ishte “Ricomincio da tre”, filmi që shënoi debutimin regjisorial të Massimo Troisit, si edhe “Notte prima degli esami”, suksesi i vitit 2006 që i hapi rrugën regjisorit Fausto Brizzi.
Trashëgimia e tij profesionale vijon përmes vajzave, Federica dhe Paola Lucisano, të cilat e mësuan zanatin pranë të atit dhe prej vitesh vijojnë aktivitetin e familjes në prodhimin kinematografik dhe serialet televizive.
Me largimin e Fulvio Lucisano, kinemaja italiane humbet një prej producentëve të saj më jetëgjatë dhe më vizionarë, një figurë që për shtatë dekada nuk pati frikë të vinte bast mbi histori, autorë dhe talente të reja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.