🌤️
Tiranë 19°C · Kryesisht kthjellët 30 Tetor 2026
S&P 500 7,720 ▼0.3%
DOW 52,343 ▼0.25%
NASDAQ 26,185 ▼1.38%
NAFTA 103.42 ▲1.39%
ARI 4,001 ▼0.75%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1162 EUR/GBP 0.8358 EUR/CHF 0.9220 EUR/ALL 90.8006 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5118 EUR/TRY 55.7426 EUR/JPY 176.24 EUR/CAD 1.5616 EUR/USD 1.1162 EUR/GBP 0.8358 EUR/CHF 0.9220 EUR/ALL 90.8006 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5118 EUR/TRY 55.7426 EUR/JPY 176.24 EUR/CAD 1.5616
₿ CRYPTO
BTC $77,646 ▼ -3.25% ETH $2,222 ▼ -4.35% XRP $1.2566 ▼ -2.9% SOL $96.8600 ▼ -3.49%
S&P 500 7,720 ▼0.3 % DOW 52,343 ▼0.25 % NASDAQ 26,185 ▼1.38 % NAFTA 103.42 ▲1.39 % ARI 4,001 ▼0.75 % S&P 500 7,720 ▼0.3 % DOW 52,343 ▼0.25 % NASDAQ 26,185 ▼1.38 % NAFTA 103.42 ▲1.39 % ARI 4,001 ▼0.75 %
EUR/USD 1.1162 EUR/GBP 0.8358 EUR/CHF 0.9220 EUR/ALL 90.8006 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5118 EUR/TRY 55.7426 EUR/JPY 176.24 EUR/CAD 1.5616 EUR/USD 1.1162 EUR/GBP 0.8358 EUR/CHF 0.9220 EUR/ALL 90.8006 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5118 EUR/TRY 55.7426 EUR/JPY 176.24 EUR/CAD 1.5616
30 Tet 2026
Breaking
Opinion

Letër nga Uashingtoni: Konservatorët amerikanë humbasin aleatin e tyre në Serbi

Presidenti në largim i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Foto: Presidenca e Serbisë.

Nga: Jovana Djurovic

Përshëndetje nga Uashingtoni, ku duket se asgjë nuk është më e pamundur. Madje as mundësia që presidenti amerikan t’i kërkojë homologut të tij rus ndihmë për të përballuar çmimet e karburanteve, të cilat kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme për shkak të luftës me Iranin – një luftë në të cilën Donald Trump u përfshi me nxitjen e Izraelit. Lufta ka shkaktuar rritjen e çmimeve në të gjithë sektorët dhe po e dëmton politikisht Trump-in. Duke qenë se amerikanët janë të pakënaqur me performancën e tij, veçanërisht në fushën e ekonomisë, republikanët rrezikojnë të humbasin shumicën e tyre në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit.

Por Trump-in e pret edhe një tjetër telash: në Ballkan, ku duket se asgjë nuk është e pamundur, ai sapo ka humbur një tjetër aleat.

Aleksandër Vuçiçi ka pësuar të njëjtin fat si kryeministri hungarez Viktor Orban. Votuesit serbë u dyndën masivisht drejt kutive të votimit dhe i dhanë Listës së Studentëve, e cila nuk ka një udhëheqës të vetëm, mandatin për të formuar qeverinë e re. Në ditët e fundit të fushatës, disa influencues amerikanë të së djathtës mbërritën në Serbi dhe publikuan video ku e paraqisnin Vuçiçin si mbrojtës të krishterimit, ndërsa lëvizjen studentore serbe e krahasonin me “Antifa”-n. Por, ashtu si ndërhyrja e JD Vance në ditët e fundit të fushatës zgjedhore në Hungari, në fillim të këtij viti, nuk arriti ta shpëtonte Orban-in, as influencuesit amerikanë nuk ia dolën ta shpëtonin Vuçiçin.

As fakti që 10 organizata republikane, konservatore dhe të së djathtës nga Shtetet e Bashkuara aplikuan për të vëzhguar zgjedhjet nuk ndihmoi. Disa prej tyre, përfshirë Republicans for National Renewal dhe Florida Young Republicans, ishin etiketuar më parë si “vëzhgues të rremë” pas zgjedhjeve të vitit 2025 në Gjeorgji, ku, sipas raportimeve, misioni i tyre ishte të legjitimonin narrativën e qeverisë.

Pas humbjes dërrmuese dhe pranimit të rezultatit natën e zgjedhjeve, Vuçiçi përcolli një mesazh që mund të gjejë jehonë në segmente të caktuara të lëvizjes konservatore amerikane. Fitorja e Listës së Studentëve, pretendoi ai, ishte një “konfirmim i një revolucioni të ndërmarrë nga disa vende evropiane dhe nga shteti i thellë amerikan, i cili po punon gjithashtu kundër Presidentit Trump”.

Ndryshe nga heshtja që pasoi humbjen e Orban-it, Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi të nesërmen me një deklaratë, ku shprehte gatishmërinë për “zgjerimin e partneritetit me Serbinë dhe bashkëpunimin me anëtarët e sapozgjedhur të parlamentit”, duke u mbështetur në dinamikën pozitive të krijuar gjatë vitit të kaluar, përfshirë nisjen e Dialogut Strategjik. Toni i deklaratës ishte optimist, ndonëse më pak entuziast se mesazhet e ardhura nga Bashkimi Evropian dhe, ç’është më e rëndësishmja, pa asnjë urim të drejtpërdrejtë për lëvizjen studentore.

Nga ana e saj, Lista e Studentëve ishte zotuar që në programin e saj të vijonte dialogun strategjik me Uashingtonin. Programi i saj për politikën e jashtme parashikon vijimin e procesit të integrimit të Serbisë në BE, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë. Në letër, kjo politikë nuk ndryshon shumë nga ajo që ka ndjekur Vuçiçi. Pyetja kryesore është nëse Lista e Studentëve do të arrijë të gjejë gjuhën e përbashkët me administratën transaksionale të Trump-it, me të cilën Vuçiçi dukej se kishte ndërtuar një marrëdhënie jashtëzakonisht komode.

Një tjetër pikëpyetje është nëse Vuçiçi do të arrijë të rishpikë veten dhe të parandalojë shpërbërjen e partisë së tij, duke shfrytëzuar lidhjet përmes degës evropiane të së djathtës amerikane. Pak para zgjedhjeve në Serbi, CPAC, konferenca kryesore politike e konservatorëve amerikanë, njoftoi planet për krijimin e “CPAC Balkan”, me një konferencë të parashikuar të mbahet në nëntor në Beograd, ku Vuçiçi do të ishte mikpritës.

Viktor Orban-i dikur kishte qenë një prej figurave më të spikatura të CPAC-ut. Por, pas humbjes së pushtetit prej tij, njoftimi për krijimin e “CPAC Balkan”, i bërë pikërisht në prag të zgjedhjeve në Serbi, dukej si një shenjë se konservatorët amerikanë po kërkonin një pikë të re mbështetjeje në Evropën Lindore. Megjithatë, me largimin e Vuçiçit nga pushteti, e ardhmja e këtij projekti mbetet e pasigurt. Konferenca nuk është anuluar, por ende nuk ka qartësi se si do të zhvillohet.

Lobistët në Uashington dhe këshilltarët e Trump-it në Bosnjë

Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, sanksionet e të cilit të lidhura me korrupsionin u hoqën së fundmi nga administrata Trump. Foto: Milorad Dodik/X.

Një nga të parët që përgëzoi Listën e Studentëve ishte Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska, i cili qëndronte përkrah Vuçiçit teksa ky i fundit pranonte humbjen. Në fillim të tetorit, Dodik u shpall fitues i zgjedhjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndonëse nuk kishte qenë vetë kandidat. Dodik ia atribuoi suksesin e tij politik Trump-it, duke deklaruar se pa mbështetjen e tij, të gjithë do të ishin “politikisht të vdekur”. Megjithatë, Trump ka nisur të distancohet nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët, sipas raportimeve, kishin punuar me Dodikun.

The New York Times raportoi se James Blair dhe Chris LaCivita, konsulentët politikë të Trump-it, kishin udhëtuar drejt Republikës Srpska gjatë fushatës së zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, për të punuar në shërbim të Dodikut. Gjithashtu, u raportua se Republikën Srpska e kishte vizituar edhe Katie Wiles, vajza e shefes së kabinetit të Trump-it, Susie Ëiles. Ajo është partnere në kompaninë Continental Strategy, e regjistruar si firmë lobimi në emër të Dodikut. Këto zbulime shkaktuan reagime të shumta në Uashington, pasi dolën në dritë në një moment veçanërisht delikat, kur republikanët po luftojnë për të ruajtur shumicën e tyre në Kongres.

Ajo që mori më pak vëmendje në mediat amerikane ishte fakti se Shtetet e Bashkuara i kishin hequr sanksionet Dodikut një vit më parë, pas një fushate intensive lobimi nga kompani të drejtuara nga persona me shkallë të ndryshme afërsie me presidentin amerikan. Pas heqjes së sanksioneve, morën hov përpjekjet për të çuar përpara projektin e gazsjellësit “Southern Interconnection”. Ky projekt synon të sjellë gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke ndihmuar në zëvendësimin e gazit rus në treg.

Vetë Dodiku ka lënë të kuptohet, në një intervistë për transmetuesin publik të Serbisë, se lobistët amerikanë kanë arritur gjithashtu të sigurojnë largimin e Christian Schmidt, Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar për Bosnjën dhe Hercegovinën. Uashingtoni ka kërkuar prej kohësh largimin e Schmidt-it, por pretendimi se largimi i tij mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse lobimi ngre pikëpyetje të reja.

Raporti më i fundit i disponueshëm mbi aktivitetin e kompanisë së lobimit Dickens & Madson, e kontraktuar më parë nga Republika Srpska kundrejt një pagese prej 4 milionë dollarësh në vit, tregon se kompania kishte punuar për të siguruar mbështetjen e SHBA-së për largimin e Schmidt-it. Objektivi i saj kryesor, i përcaktuar shprehimisht, ishte “pavarësia e Republikës Srpska nga Bosnjë dhe Hercegovina”. Megjithatë, politika zyrtare e SHBA-së për këtë çështje nuk ka ndryshuar. Departamenti Amerikan i Shtetit vijon të deklarojë se Uashingtoni respekton Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Shqipëria dhe Kosova në lojën e politikës amerikane

media
Protestuesit mbajnë pankarta kundër kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Sali Berisha. Foto: LSA.

Në Shqipëri është shfaqur një model i ngjashëm. Ndonëse Eric Wendt, përfaqësuesi i ri diplomatik i SHBA-së në vend, nuk e ftoi ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha në pritjen e organizuar me rastin e mbërritjes së tij, Berisha u shfaq në konventën republikane për zgjedhjet e mesmandatit, të mbajtur në Dallas në shtator. I sanksionuar nga administrata Biden për shkak të akuzave për korrupsion, Berisha po zhvillonte vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara që prej heqjes së ndalimit të udhëtimit, gjatë verës. Të paktën pjesërisht, kjo ishte një arritje e lobistëve të tij.

Sipas bazës së të dhënave të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), kompania Continental Strategy lobon në interes të partisë së Berishës. E njëjta kompani punon edhe për Dodikun dhe drejtohet nga Carlos Trujillo, i cili gjatë mandatit të parë të Trump-it mori katër emërime presidenciale. Në raportet e kompanisë, heqja e sanksioneve ndaj Berishës renditet ndër objektivat e saj.

Ndërsa ish-lideri shqiptar forcon lidhjet me Trump-in, kryeministri aktual Edi Rama po përballet me një opozitë të brendshme gjithnjë e më të fortë për shkak të marrëdhënieve me familjen e presidentit amerikan. Protestat, të cilat nisën kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz nga dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, janë shndërruar në një pakënaqësi më të gjerë, duke kulmuar me kërkesat për dorëheqjen e Ramës. Në tetor, demonstratat u përshkallëzuan në përplasje me policinë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protesta të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Ndërkohë, ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë kanë kritikuar reagimin e policisë ndaj protestuesve, si dhe sjelljen e drejtuesve të Shqipërisë. Nëse demokratët fitojnë kontrollin e njërës prej dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve ose Senatit, marrëveshjet transaksionale të familjes Trump në vende të ndryshme të botës mund të bëhen objekt i hetimeve kongresionale, ndërsa projekti i Kushner-it në Shqipëri mund të përfshihet fare mirë në agjendën e tyre.

Kosova mori këtë muaj një mesazh tashmë të njohur nga Departamenti Amerikan i Shtetit: dialogu strategjik mund të rifillojë nëse Prishtina përmbush detyrimet e saj ndaj komunitetit serb të Kosovës. Ndërsa disa anëtarë të Kongresit i kanë kërkuar Uashingtonit të mos e ulë angazhimin e tij në Kosovë, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, përsëriti qëndrimin se Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) duhet të mbyllet, pasi e ka përmbushur mandatin e tij.

Kjo qasje është në përputhje me politikën e administratës Trump: më pak theks tek angazhimi përmes misioneve ndërkombëtare dhe më shumë te marrëveshjet e drejtpërdrejta, të hartuara për të çuar përpara interesat tregtare.

Prishtina ende nuk i është përgjigjur ofertës së të ngarkuarit me punë të SHBA-së për ta lidhur Kosovën me rrjetin rajonal amerikan të gazit natyror të lëngshëm (LNG). Megjithatë, përfaqësuesit e qeverisë së re të Kosovës kanë zhvilluar takimin e tyre të parë me zyrtarë amerikanë në kuadër të një grupi pune për energjinë – një sektor ku administrata Trump synon të vendosë epërsinë amerikane në Ballkan.

Ballkani po shndërrohet sërish në një terren prove për politikën e jashtme të Trumpit, të mbështetur te marrëdhëniet dhe marrëveshjet transaksionale, ku ndërthuren gjithnjë e më shumë aleancat politike, rrjetet e lobimit dhe interesat ekonomike. Për Uashingtonin, marrëveshjet energjetike dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë mund të kenë përparësi ndaj standardeve demokratike. Megjithatë, këto angazhime nuk mbeten të paprekura nga presionet e politikës së brendshme në të dyja anët e Atlantikut. Me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit, disa prej lidhjeve të Trump-it në Ballkan mund të kthehen nga avantazh politik në një barrë për të.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.