LETONI – Forcat gjermane përfundojnë misionin për mbrojtjen e hapësirës ajrore gjatë zgjedhjeve
RIGË, 6 tetor /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore gjermane kanë përfunduar misionin e tyre të përkohshëm në Letoni, ku gjatë zgjedhjeve parlamentare kanë ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, tha sot një zëdhënës i Forcave Ajrore gjermane.
Katër avionët luftarakë “Eurofighter”, të cilët i përkasin njësisë ushtarake gjermane “Krahu Ajror Taktik 74”, janë kthyer në bazën e tyre në Neuburg an der Donau, në Gjermani. Zëdhënësi tha se misioni u zhvillua pa asnjë incident.
Letonia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, zhvilloi zgjedhjet parlamentare më 3 tetor.
Qeveria letoneze kishte kërkuar mbështetje për të garantuar sigurinë e zgjedhjeve, në një kohë kur kohët e fundit ka pasur disa raste të shkeljes së hapësirës ajrore të vendeve baltike.
Në përgjigje të kësaj kërkese, Gjermania dërgoi në Letoni katër avionë “Eurofighter” dhe rreth 40 ushtarë.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Raivis Melnis falënderoi Gjermaninë për ndihmën në forcimin e mbrojtjes së hapësirës ajrore letoneze.
Ai tha se dërgimi i avionëve “Eurofighter” tregoi se NATO është në gjendje të përforcojë shpejt mbrojtjen e vendeve anëtare, kur është e nevojshme.
Letonia kufizohet në lindje me Rusinë dhe Bjellorusinë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në vend janë regjistruar disa incidente me dronë.
Në dy raste, dronët u rrëzuan nga avionë luftarakë të NATO-s mbi territorin e Letonisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.