Ligj i ri kundër duhanit pas 20 vitesh, ndalohet shitja online e cigareve dhe shtohen kufizimet
Drafti i ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit ka dalë për konsultim publik dhe sjell kufizime për cigaret tradicionale dhe elektronike, gjoba më të larta dhe rregulla më të ashpra për shitjen dhe reklamimin.
Pas 20 vitesh, Shqipëria pritet të ketë një ligj të ri kundër duhanit, siç njofton Shqiptarja.com. Drafti i ri, me titull “Mbrojtja e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produkteve të ngjashme me to”, ka dalë për konsultim publik dhe synon të ashpërsojë ndjeshëm rregullat për cigaret tradicionale dhe ato elektronike. Dokumenti vjen në një kohë kur përdorimi i duhanit mbetet një problem i madh shëndetësor në vend dhe pritet të kalojë për miratim në Parlament pas përfundimit të konsultimit publik.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, të cituara në relacionin shpjegues të draftit, rreth 30 për qind e të rriturve në Shqipëri pinë duhan, ndërsa te burrat kjo shifër arrin në 41 për qind. Po ashtu, përdorimi i cigareve elektronike mes të rinjve po rritet me shpejtësi. Ministria e Shëndetësisë thekson se duhani shkakton rreth 4.000 vdekje në vit në Shqipëri, një shifër që, sipas saj, e bën të domosdoshëm ndërhyrjen me një kuadër të ri ligjor.
Një nga ndryshimet kryesore të draftit është ndalimi i shitjes online të cigareve dhe produkteve të duhanit. Në pikat fizike të shitjes, çdo blerës do të duhet të paraqesë një dokument identifikimi dhe shitësit do të jenë të detyruar të verifikojnë moshën. Shitja ndalohet brenda 100 metrave nga shkollat dhe institucionet arsimore, si dhe në institucionet shëndetësore, shkolla, universitete, institucione paraburgimi dhe në ambientet e administratës publike. Ndërkohë, konsumimi i duhanit ndalohet në shkolla, kopshte, parqe, stacione autobusi dhe në çdo hapësirë të hapur ku frekuentohen fëmijët.
Dokumenti ndalon të gjitha format e reklamimit të cigareve dhe produkteve të duhanit, në mediat tradicionale, platformat online, rrjetet sociale dhe eventet publike, si dhe ndalon sponsorizimin nga kompanitë e duhanit. Paketat do të mbajnë paralajmërime shëndetësore më të mëdha. Të njëjtat rregulla do të vlejnë edhe për cigaret elektronike dhe produktet e duhanit të ngrohur: përdorimi i tyre ndalohet në hapësirat e mbyllura publike, në transportin publik dhe në vendet e punës, ndërsa ndalohen shijet që tërheqin të rinjtë, si dhe pakot me më pak se 20 cigare.
Gjobat për shkeljet rriten ndjeshëm: deri në 500.000 lekë për shitjen e cigareve tek të miturit dhe deri në 1 milion lekë për bizneset që shkelin rregullat e reklamimit. Prodhuesit dhe importuesit do të duhet të raportojnë çdo vit përbërjen e produkteve dhe vëllimet e shitjeve, ndërsa do të krijohet një regjistër kombëtar i produkteve të duhanit. Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë thonë se sfida e vërtetë do të jetë zbatimi në praktikë, pasi edhe ndalimi aktual i pirjes së duhanit në hapësirat publike nuk zbatohet plotësisht.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.