Limaj në protestën “Jo në emrin tim”: Shteti dhe populli i Kosovës nuk lejojnë që t’u rishkruhet historia
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, mori pjesë në protestën e sontme “Jo në emrin tim” në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, ku tha se aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ka nxitur një ndjenjë krenarie te qytetarët e Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e saj në çlirimin e vendit.
Sipas Limajt, pas vendimit të gjykatës është dëshmuar ajo që, sipas tij, është ditur gjithmonë — se UÇK-ja përfaqëson identitetin e kombit dhe lirisë së Kosovës. “Besoj që kjo situatë e rëndë pas vendimit të Gjykatës në Hagë ka çuar atë që ne e kemi ditur gjithmonë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është identitet i këtij kombi, i lirisë”, tha ai.
Ai theksoi se aktgjykimi nuk duhet të shihet vetëm në raport me individët që po gjykohen, por si pjesë e një përpjekjeje për të ndryshuar interpretimin e historisë së Kosovës. “Ky aktgjykim nuk ka të bëjë me individin; ky aktgjykim ka një objektiv për të shlyer një histori e për të rishkruar një histori”, u shpreh Limaj.
“Ndihem mirë që njerëzit e kanë kuptuar” se “shteti dhe populli i Kosovës nuk lejon që t’i rishkruhet historia”, shtoi ai përpara protestuesve në shesh.
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.