LIVE! Kaos dhe përplasje në Kuvend, deputetët e PD hedhin shishe uji e sende drejt Peleshit dhe Ballës
Tensione të forta, kaos dhe përplasje fizike janë shënuar në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Situata është përshkallëzuar teksa kryeparlamentari Niko Peleshi ka hedhur në votim rendin e ditës, moment kur deputetët e Partisë Demokratike kanë tentuar të marrin kartonët e votimit nga deputetët socialistë.
Veprimet kanë sjellë përplasje fizike mes deputetëve të dy palëve, ndërsa në sallë ka ndërhyrë Garda e Republikës për të menaxhuar situatën.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të kryeparlamentarit Peleshi për qetësi, tensionet kanë vijuar. Deputetët demokratë kanë hedhur shishe uji, letra dhe sende të tjera në drejtim të kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Përplasjet kanë shoqëruar zhvillimin e seancës plenare, duke e kthyer sallën e Kuvendit në skenë kaosi, ndërsa përpjekjet e kryeparlamentarit për të vendosur qetësinë nuk kanë arritur të ndalin menjëherë tensionet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.