“Love me”: artisti JMSN i kërkon Trump-it ta heqë këngën e tij nga reklama e paguar me para publike
Christian Berishaj, i njohur me emrin artistik JMSN, i ka dërguar një letër “cease-and-desist” shefes së kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, duke kërkuar që kënga e tij “Love me” të hiqet menjëherë nga reklama televizive e financuar me paratë e taksapaguesve që promovon Presidentin Donald Trump.
Avokatët e Christian Berishaj, që performon si JMSN, i dërguan të hënën, më 28 shtator, një letër “cease-and-desist” shefes së kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, duke kërkuar gjithashtu që reklama të tërhiqet nga të gjitha transmetimet e planifikuara dhe të fshihet nga interneti, siç njofton USA Today.
Avokatët e artistit, të udhëhequr nga grupi “Democracy Defenders Action”, akuzojnë Shtëpinë e Bardhë për shkelje të ligjit federal të të drejtës së autorit me përdorimin e këngës së JMSN-së, si dhe për shkelje të ligjit që ndalon paraqitjen e mbështetjeve apo asociimeve të rreme. “Të jetë absolutisht e qartë: JMSN nuk dëshiron të shihet si i lidhur drejtpërdrejt apo tërthorazi me Presidentin apo Administratën e tij,” thuhet në letër, të nënshkruar nga avokati Norm Eisen, duke shtuar se përdorimi i këngës “në këtë kontekst, si pjesë e një reklame hapur partiake politike, është veçanërisht dëmtues, pasi mund t’i bëjë të tjerët të vënë në dyshim pavarësinë dhe integritetin artistik të JMSN-së”, raporton USA Today.
Kundërshtimi i JMSN-së vjen ndërsa reklama “Love me” dhe një reklamë tjetër e Trump-it, gjithashtu e financuar nga qeveria federale, kanë ngritur pyetje mbi përdorimin e parave publike për reklama politike — diçka që ligji federal dhe aktet vjetore të ndarjeve buxhetore të miratuara nga Kongresi e ndalojnë. Shtëpia e Bardhë argumenton se reklamat janë “njoftime shërbimi publik”, jo reklama politike, meqë Trump nuk është në fletëvotim në nëntor dhe reklamat nuk e përmendin zgjedhjen, shkruan USA Today.
Reklama në fjalë shfaq Trump-in duke u kërkuar amerikanëve të “mposhtin komunizmin, socializmin dhe marksizmin në Amerikë”, ndërsa një kor në sfond reciton vargun “Love me” të këngës së JMSN-së. Në ekran shfaqen mesazhe si “LARGEST TAX CUTS IN HISTORY. REIGNITING AMERICAN MANUFACTURING. DEFEND LAW AND ORDER” dhe rreshti i përsëritur se “AMERIKA KURRË NUK DO TË JETË VEND KOMUNIST”. Në fund dëgjohet zëri i drejtuesit të UFC-së, Dana White, një aleat i ngushtë i Trump-it: “Ky është njeriu më i fortë, më i qëndrueshëm që kam njohur ndonjëherë, dhe asgjë nuk do ta ndalojë atë të luftojë kaq shumë për vendin që do.”
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi letrën, dhe nuk e ka bërë publike shumën që qeveria ka paguar për transmetimin e reklamës, e cila është transmetuar në Fox News. Megjithëse Trump nuk është në fletëvotimin e nëntorit, presidenti u ka kërkuar mbështetësve të “pretend” sikur ai është në fletëvotim, në një përpjekje për t’i energjizuar ata për zgjedhjet e mesmandatit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.