MADRID – Policia përdor shkopinj gome kundër mësuesve, ndërsa protestat përshkallëzohen
MADRID, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Protestat e mësuesve në grevë kundër politikave arsimore të qeverisë rajonale të Madridit, të drejtuar nga Isabel Díaz Ayuso, janë përshkallëzuar sot në përplasje me policinë.
Qindra demonstrues bllokuan hyrjet e pallatit ”Santona”, në qendër të kryeqytetit spanjoll, ku presidentja konservatore e rajonit po merrte pjesë në një aktivitet.
Policia ndërhyri për të larguar protestuesit dhe për të hapur hyrjet e ndërtesës.
Pamjet e transmetuara nga televizioni publik RTVE shfaqën mësues që po protestonin paqësisht teksa goditeshin me shkopinj gome dhe shtyheshin nga efektivët e policisë.
Presidentja rajonale Ayuso akuzoi kryeministrin socialist të Spanjës, Pedro Sanchez, dhe të majtën, të cilën e cilësoi si antidemokratike, se po organizonin një strategji ngacmimi personal dhe institucional ndaj saj.
Ndërkohë, rreth 200 mësues bllokuan autostradën A-3 në periferi të Madridit, duke vendosur mbi të banka dhe karrige shkolle.
Protesta shkaktoi probleme të konsiderueshme në qarkullimin rrugor dhe përfundoi pas rreth një ore.
Për shkak të tensioneve në rritje, ministrja rajonale e Arsimit, Mercedes Zarzalejo, anuloi një vizitë të planifikuar në një shkollë.
Mësuesit kërkojnë më shumë personel dhe financim për arsimin publik, reduktimin e numrit të nxënësve në klasa dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Greva pa afat në rajonin e Madridit nisi të mërkurën, ndërsa sindikatat akuzojnë qeverinë konservatore rajonale se nuk është e gatshme të zhvillojë bisedime për plotësimin e kërkesave të tyre.
Që në ditën e parë të grevës, një operacion i gjerë policor u zhvillua në kampusin e Universitetit Complutense, ku u arrestuan pesë persona dhe u raportuan disa të plagosur.
Pas publikimit të pamjeve të ndërhyrjes, të cilat shkaktuan reagime të forta publike, policia nisi një hetim të brendshëm për të shqyrtuar veprimet e efektivëve të policisë. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.