MAL I ZI – Merz premton mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE
BUDVA, 22 tetor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje sot që vendet e Ballkanit Perëndimor, të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian, duke premtuar mbështetjen e Gjermanisë për këtë proces.
“Ne dëshirojmë që ju të anëtarësoheni në BE”, deklaroi Merz në nisje të samitit në Mal të Zi, ku morën pjesë udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Ai theksoi se të gjashtë vendet mund të mbështeten te Gjermania dhe te mbështetja e tij personale.
Megjithatë, kancelari gjerman u kërkoi vendeve të rajonit të ndërmarrin reforma të mëtejshme për të përparuar drejt anëtarësimit.
Ai tha se Bashkimi Evropian i ka përmbushur detyrimet e tij, por edhe vendet kandidate duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke zbatuar reformat e nevojshme dhe duke treguar vullnet politik.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, i cili është i gjatë dhe përfshin përmbushjen e një sërë kushtesh.
Shumica prej tyre presin prej vitesh të bëhen pjesë e unionit.
Mali i Zi pritet të jetë vendi i parë i rajonit që do të anëtarësohet në BE, ndërsa negociatat e anëtarësimit të tij parashikohet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
Samiti u zhvillua në një vilë buzë detit Adriatik dhe është pjesë e Procesit të Berlinit, një nismë e nisur në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me synimin për të nxitur afrimin dhe integrimin e gjashtë vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Në qershor, Gjermania dhe Franca prezantuan një nismë të re për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit.
Në një dokument të përbashkët, të dyja vendet propozuan që disa hapa të integrimit, të ndërmerren edhe përpara anëtarësimit të plotë, në mënyrë që vendet kandidate të kenë më shumë nxitje për të zbatuar reformat.
Sipas kësaj ideje, përmbushja e disa kushteve të anëtarësimit, do të shpërblehej me mundësi konkrete, si akses më i privilegjuar në tregun e përbashkët të BE-së ose dërgimi i përfaqësuesve vëzhgues në institucionet evropiane. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.