MALI I ZI MBYLL 21 KAPITUJT NË NEGOCIATAT ME BASHKIMIN EVROPIAN
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht edhe tre kapituj në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e çuar në 21 numrin e kapitujve të mbyllur.
Në konferencën ndërqeveritare të mbajtur në Luksemburg, më 12 tetor, u mbyllën kapitujt 17, për Bashkimin Ekonomik dhe Monetar, 18, për Statistikat, dhe 19, për Politikën Sociale dhe Punësimin.
Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se Malit të Zi i kanë mbetur edhe 12 kapituj për t’i mbyllur, ndërsa institucionet do të vazhdojnë punën me intensitet të plotë për përfundimin e negociatave. Ai theksoi se synimi nuk është vetëm përfundimi i procesit, por edhe përgatitja e vendit për të përmbushur detyrimet dhe përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në BE.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, bëri të ditur se procedurat për vlerësimin e përmbushjes së kritereve për dhjetë kapituj të tjerë janë në zhvillim e sipër pranë organeve të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, përshëndeti përparimin e Malit të Zi dhe shprehu mbështetjen e BE-së për synimin që vendi të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit. Ajo u bëri thirrje pozitës dhe opozitës që interesin kombëtar ta vendosin mbi dallimet politike dhe të bashkëpunojnë për vendimet e nevojshme.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, deklaroi se Zagrebi nuk po e bllokon përparimin e Malit të Zi drejt BE-së, por kërkon zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe respektimin e parimeve themelore të Unionit.
Raportuesi për Malin e Zi në Parlamentin Evropian, Marjan Sharec, përgëzoi vendin për mbylljen e tre kapitujve, por theksoi se përgjegjësia për miratimin e ndryshimeve kushtetuese u takon të gjitha partive që mbështesin anëtarësimin në BE, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.