Mali i Zi shkëlqen në zbatimin e Planit të Rritjes, Kopman vlerëson reformat
Mali i Zi ka përmbushur 63 nga 67 hapat reformues të Planit të Rritjes, përkatësisht 94 për qind të detyrimeve, duke marrë vlerësimin maksimal nga Komisioni Evropian, ndërsa drejtori Gert Jan Kopman e cilësoi me notën dhjetë përparimin në reforma.
Mali i Zi ka arritur rezultatet më të mira në rajon në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke marrë vlerësimin maksimal nga Komisioni Evropian, siç njofton Tv Boin.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman, vlerësoi veçanërisht përparimin e Malit të Zi, duke e cilësuar me notën dhjetë për zbatimin e reformave dhe të Planit të Rritjes.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, bëri të ditur se Mali i Zi ka përmbushur 63 nga 67 hapat reformues të paraparë për katër periudhat e para raportuese, përkatësisht 94 për qind të detyrimeve.
Sipas Gorçeviqit, Plani i Rritjes synon afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, përmes modernizimit të ekonomisë, forcimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së konkurrueshmërisë. Ajo nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, lehtësimit të tregtisë dhe përfshirjes së kompanive vendase në zinxhirët evropianë të furnizimit.
Gorçeviq ritheksoi ambicien e Malit të Zi për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026, duke theksuar se suksesi i integrimit evropian kërkon reforma konkrete dhe mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.