Manifaktura në tkurrje, humbasin 25 mijë vende pune, mbyllen 150 fasoneri
Fasoneria shqiptare po përballet me vështirësi të thelluara. Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur industria e manifakturës, sot numërohen vetëm rreth 40 mijë, ndërsa afro 150 njësi fasonerie kanë mbyllur aktivitetin vitet e fundit.
Alarmi u ngrit në Elbasan, gjatë takimit të “Manifakturës Shqiptare” me sipërmarrësit e sektorit. Përfaqësuesit e industrisë thonë se rënia e eksporteve, kostot e prodhimit, mungesa e punonjësve dhe zhvlerësimi i euros po rëndojnë aktivitetin.
Sipas kryetarit të Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” Florian Zekja, sektori ka humbur rreth 25 mijë vende pune, ndërsa eksportet kanë rënë ndjeshëm në vlerë.
“Jemi në një moment ku po përballemi me vështirësi shumë të mëdha. Nga 65 mijë kemi arritur në 40 mijë punonjës. Edhe eksportet kanë rënë, nga 1 miliard e 400 milionë euro në 2023, në 960 milionë vitin e kaluar”, është shprehr Zekja.
Për sipërmarrësit, një prej goditjeve më të forta vjen nga kursi i euros. Luhatjet e monedhës po e bëjnë të vështirë planifikimin e prodhimit dhe, sipas bizneseve, po ndikojnë edhe në interesin e kompanive të huaja për të bashkëpunuar me Shqipërinë.
Përballë kostove të larta dhe konkurrencës në tregjet e huaja, sipërmarrësit kërkojnë mbështetje për modernizimin e makinerive. Sipas tyre, automatizimi do të rriste produktivitetin dhe do të ndihmonte në ruajtjen e vendeve të punës.
“Një nga ndihmat që duhet të na jepte qeveria është investimi në makineri dhe teknologji të reja. Për Paketën Fiskale 2027 do të ishte mirë të ndihmoheshim me grante”, është shprehur Agron Hyseni, një biznesmen në Gramsh.
Një tjetër shqetësim për bizneset lidhet me barrën fiskale mbi pagat. Sipas sipërmarrësve, ulja e kësaj barre do të krijonte mundësi për rritjen e pagave dhe për ta bërë sektorin më tërheqës për punonjësit.
Për të frenuar rënien e sektorit, “Manifaktura Shqiptare” kërkon ndërhyrje në Paketën Fiskale 2027. Në tavolinë janë gjashtë propozime: ulja e kostos së punës, rritja e amortizimit fiskal, tarifa më të ulëta doganore për lëndët e para, lehtësi për fitimin e riinvestuar, si dhe një fond i dedikuar për teknologjinë dhe automatizimin.
Sektori i manifakturës, prej vitesh një prej punëdhënësve dhe eksportuesve kryesorë në vend, po përballet me një periudhë të vështirë. Sipërmarrësit kërkojnë ndërhyrje konkrete për të ndalur mbylljen e fasonerive dhe për të ruajtur vendet e punës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.