Maqedonia dhe Serbia do të kenë pikë të përbashkët doganore.
Kryeministri Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç u takuan dje në pikën kufitare Tabanovc-Preshevë. Qëllimi i takimit ishte zbatimi i projektit “One stop shop” për menaxhim të përbashkët kufitar.
Projekti “One Stop Shop” parashikon që maunat me mallra dhe mjetet tjera transportuese, t’i nënshtrohen njërës pikë doganore, duke lehtësuar kështu procedurat e kontrollit. Projekti u promovua nga Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq. Kontrolli i këtillë do të filloj nga viti 2019 dhe do të jetë i pari i kësaj natyre në Ballkan, ndërsa është financuar nga Banka Botërore. Zaev dhe Vuçiq deklaruan se detajet për pikë të përbashkët doganore do të theksohen pas nënshkrimit të akteve mes dy Qeverive, Doganave të dyja vendeve dhe Ministrive të Brendshme.
“Është me rëndësi të veçantë për qytetarët e dyja vendeve ky projekt i përbashkët. Rëndësi të veçantë do të ketë edhe për kompanitë. Pika e përbashkët e kontrollit do të lehtësojë lëvizjet e mallrave dhe qytetarëve tanë do t’ua evitojë pritjet e gjata nëpër kontrollet doganore” -tha Aleksander Vuçiq, President i Serbisë.
“Jemi krenar se Maqedonia do ta gëzojë një pikë të tillë doganore për një kontroll. Kemi nderin që këtë koncept ta hapim së pari me shtetin fqinjë më produktiv siç është Serbia. Projekti nënkupton që në një vend, në të njëjtën kohë dhe në një objekt, me një kontroll të mund qytetarët mallrat ti doganojnë dhe paraqesin duke e përgjysmuar kohën e pritjes” – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.
Një projekt të tillë do ta implementojnë edhe Shqipëria me Kosovën nga 1 janari 2019.
Të pyetur për çështjet politike në Ballkan, kryeministri Zaev tha se Maqedonia përkrah çdo lloj zgjidhjeje pozitive mes Kosovës dhe Serbisë, që do të përparonte mirëqenine e qytetarëve dhe do të garantonte sigurinë e të dyja vendeve.
Nga ana tjetër, i pyetur për çështjen e korrigjimit të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë, Vuçiç tha se nuk e kupton se për cilet kufinj bëhet fjalë, sepse sipas tij Kosova është pjesë e Serbisë. Sa i përket referendumit në Shkup, presidenti serb tha se Serbia nuk do të përzihet në çështjet e brendshme të Maqedonisë, por gjithnjë tha se do të reagojë pozitivisht për zgjidhjen e problemeve me marrëveshje.