Marrëveshja me SHBA-në, Berisha: I kemi thënë palës amerikane se e votojmë në çdo kohë në përputhje me Kushtetutën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, ka sqaruar qëndrimin e opozitës lidhur me marrëveshjen për kredinë ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet plotësisht rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe blerjen e pajisjeve moderne për ushtrinë shqiptare, ndërsa bëri me dije se i kanë konfirmuar zyrtarisht palës amerikane gatishmërinë për ta votuar marrëveshjen në çdo moment, me kushtin që të respektohet Kushtetuta.
Sipas liderit të opozitës, dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nuk lidhet me përmbajtjen e marrëveshjes, ndaj së cilës PD nuk ka asnjë kundërshtim, por me shkeljen e procedurës parlamentare nga ana e mazhorancës.
“Dua të sqaroj çdo shqiptar se Partia Demokratike mbështet plotësisht kërkesën e presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve nga vendet anëtare të NATO-s për mbrojtjen.
Jemi në kohë luftërash, kjo duhet të ishte bërë dhe më parë, e filluam ne me 2%, këta e zbritën tek 1.3%.
Ne falënderojmë qeverinë e Shteteve të Bashkuara për kredinë, me të cilën ushtria shqiptare mund të blejë pajisje moderne për mbrojtjen e vendit.
Por Edi Rama e trajton edhe këtë moment si një narkodiktator, i paskrupullt, i pafytyrë. Në një kohë kur ai vetë e ka miratuar në qeveri me datën 19 qershor, e dorëzon në parlament, me qëllim, në datën 18 korrik.
Afati kushtetues për miratimin me procedurë urgjente është një javë, nga dita e depozitimit në parlament nuk mund të bëhet pa kaluar një javë. E vërteta është që Niko Peleshi bie plotësisht dakord, ‘ke të drejtë’ thotë, edhe për kërkesën e parë dhe të dytë. Dhe kryesia e parlamentit përcaktoi datën 31, ditën e enjte, si ditën e fundit të parlamentit, pikërisht për të votuar në përputhje me procedurën kushtetuese marrëveshjen.
Por ligësia e Edi Ramës, i cili e dinte që ne Kushtetutën nuk e shkelim, jo, ai e shkel Kushtetutën kundra nesh, por ne ortakë në shkelje të Kushtetutës me të nuk bëhemi, dhe ai përmbysi çdo gjë.
Urdhëroi Peleshin dhe Tualetin e tij që marrëveshja të votohej me datën 23 korrik, ditën e hënë, në kundërshtim me Kushtetutën. Të votohej pa e lexuar sepse ata vendosën për shkak të konfidencialitetit, dhe nuk kishte konfidencialitet për termat ushtarake, s’ishte ushtarake, për termat tregtare, normal, sepse atë kredi, qeveria amerikane, atë lloj kredie në një vend tjetër mund ta ketë dhënë me kushte të tjera dhe nuk do të krijojë debate.
Ne në këto kushte, për të mbrojtur kushtetutshmërinë dërguam procedurën, jo marrëveshjen.
Edhe një herë, ne nuk kemi asnjë kundërshtim me marrëveshjen, dhe unë publikisht dua t’u informoj, se ne palës amerikane i kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm në çdo kohë, në qoftë se rikthehet ajo që u bë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e vendosim në Kushtetutë, deputetët e Partisë Demokratike janë të gatshëm të mblidhen dhe të votojnë marrëveshjen.
Dhe kjo është arsyeja pse ne iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese, e cila në raste të tilla analoge e ka gjetur jokushtetuese procedurën e ndjekur, dhe rasti u kujtohet ju, të njëjtën gjë bënë me rregulloren e parlamentit, por Gjykata Kushtetuese e ktheu mbrapsht procedurën”, u shpreh Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.