Masa për sezonin turistik, ministrat Lamallari dhe Gonxhja në Sarandë: Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dhe kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, zhvilluan një inspektim në Sarandë për të parë nga afër masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Në një periudhë kur flukset e turistëve dhe qytetarëve që hyjnë në vend përmes porteve dhe pikave kufitare vijojnë të rriten, autoritetet kanë vendosur në fokus garantimin e sigurisë, rendit publik dhe reagimin e shpejtë të strukturave ligjzbatuese.
Lamallari theksoi se rritja e numrit të turistëve sjell edhe përgjegjësi më të mëdha për Policinë e Shtetit, veçanërisht në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve.
“Ne kemi tre mesazhe kryesore si Ministri e Punëve të Brendshme. Së pari, siguria e jetës së qytetarëve dhe e turistëve. Sa më shumë ata vijnë e vizitojnë jo vetëm Sarandën, por gjithë bregdetin shqiptar, kjo nënkupton më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit”, u shpreh ministri Lamallari.
Ai nënvizoi se gjatë sezonit turistik nuk do të tolerohet paligjshmëria, ndërsa reagimi i shpejtë dhe profesional i Policisë së Shtetit ndaj çdo kërkese për ndihmë është thelbësor për forcimin e besimit të qytetarëve dhe turistëve.
“Do të lejojmë zero paligjshmëri, qoftë në kuptim të aktiviteteve kriminale, paligjshmërive të ndryshme, ato që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore. Kurdoherë që kërkohet ndihmë nga qytetarët, reagimi i shpejtë, i menjëhershëm i Policisë së Shtetit është kritik, është i rëndësishëm”, theksoi Lamallari.
Ministri i Punëve të Brendshme vuri gjithashtu theksin te bashkëpunimi ndërinstitucional, duke e cilësuar garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe cilësor si një përgjegjësi të përbashkët të institucioneve qendrore dhe vendore.
“Një turizëm cilësor, që kontribuon në ekonominë kombëtare, nënkupton dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve. Prandaj kemi zgjedhur të jemi këtu së bashku me Ministrin e Turizmit, për të bashkuar forcat”, tha ai.
Në fokus të inspektimit ishin gjithashtu administrimi i hapësirave publike dhe plazheve, garantimi i aksesueshmërisë dhe sigurisë për pushuesit, si dhe respektimi i rregullave për zhurmat, me qëllim që zhvillimi i aktivitetit turistik të shoqërohet me respektimin e qetësisë dhe të drejtave të banorëve dhe pushuesve.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe pushtetin vendor, vijon zbatimin e masave për një sezon turistik të sigurt, të rregullt dhe cilësor, duke synuar që vizitorët vendas dhe të huaj të largohen nga Shqipëria me përshtypjet më të mira dhe të rikthehen sërish.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.