Mashtrimet online, polica thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqet që u vijnë në SMS. Mos jepni asnjë të dhënë
Policia e Shtetit ka lëshuar një njoftim zyrtar për qytetarët, duke bërë thirrje për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj një vale të re mesazhesh mashtruese të tipit “phishing” që po qarkullojnë përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit si WhatsApp.
Sipas autoriteteve, autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare ose subjekteve publike, duke u kërkuar qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogaritë apo të ndjekin linke të përfshira në mesazh.
Policia ka bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë linqet që u shkojnë në mesazhe. Sipas policisë këto të dhëna mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.
“Policia e Shtetit-Në vijim të njoftimeve të herëpashershme të bëra nga Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e mashtrimeve online dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, nisur edhe nga fakti që, ditët e fundit, janë konstatuar raste të mesazheve mashtruese të dërguara përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in, nga numra të ndryshëm telefoni, sqarojmë qytetarët se:
Në këto mesazhe, autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare dhe u kërkojnë qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogarinë apo të kryejnë veprime të tjera, duke klikuar në një link të përfshirë në mesazh.
Bëhet fjalë për skema mashtrimi të tipit “phishing”, të cilat synojnë vjedhjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit (OTP), si dhe të dhënave të kartave bankare. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.
Për t’u mbrojtur nga këto mashtrime: Mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë.
Mos jepni asnjëherë fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës bankare. Përpara se të identifikoheni në shërbimet bankare, kontrolloni me kujdes adresën e faqes së internetit dhe sigurohuni që po përdorni kanalet zyrtare të bankës.
Bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta. Për çdo paqartësi, kontaktoni bankën vetëm përmes numrave dhe kanaleve të saj zyrtare.
Nëse keni klikuar në një link të dyshimtë ose keni dhënë të dhënat tuaja bankare: Kontaktoni menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose llogarinë dhe për të marrë masat e nevojshme.
Ndryshoni menjëherë fjalëkalimet e aksesit në shërbimet bankare. Raportoni rastin në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në çdo drejtori vendore.
Policia e Shtetit apelon për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj çdo mesazhi, linku apo faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare ose kode verifikimi. Mos klikoni. Mos jepni të dhëna. Verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare”, njofton policia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.