Mbahet seanca plenare, PD mungon në sallë/ Replika të forta mes Bidos e Muçit
Parlamenti është mbledhur sot në seancë plenare, teksa jashtë godinës, një grup qytetarësh po protestojnë, ndërsa nuk kanë munguar edhe momentet e tensionit.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u përplasën me akuza të forta gjatë seancës plenare.
Në fjalën e tij, Bido sulmoi Muçin për mungesën në një seancë të mëparshme për Çamërinë, duke deklaruar: “Ti nuk flet dot për Çamërinë, je një apatrid, një tradhtar.”
Më herët gjatë debatit, Bido tha: “Kështu jemi mësuar të punojmë, të nxjerrim lekët me djersën e ballit. Një pjesë e këtij grupi janë mësuar të punojnë, ti s’ke punuar ndonjëherë dhe ndaj e besoj habinë tënde. Para një jave kishte seancë këtu për Çamërinë, ti nuk erdhe. Ke dalë dhe je viktimizuar se ke kombësi greke. Është zgjedhje e prindërve tuaj për të pasur kombësinë greke. Unë me minoritarët s’kam asnjë problem, sepse janë bashkëqytetarët tanë, pasuri për vendin.”
Muçi iu kundërpërgjigj duke pretenduar se ishte vënë në shënjestër politike. “Me urdhër të Taulantit që më ka vënë në shënjestër. Bido më është çuar pas me bukë në trastë. Për çdo fjalë që them për Ramën, nxjerr këto hartat. ‘Pse qeshe kur u kollit shoku Enver?’ Këtë po përpiqet të bëjë Bido me ata sufllaqexhinjtë e tij.”
Më tej, ai shtoi: “Bido, nëse ke gjë serioze, çoje në gjykatë ose dërgoji inspektorët tuaj. Nëse ke gjë seriozisht. Unë ty jo që s’të marr seriozisht, por më kujton komeditë e viteve ’90, më kujton Ceken e Beratit. Ndaj, Bido, vazhdo me fushatën kundërzbulimit.”
Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë të pranishëm në sallën e Kuvendit, pasi kanë vendosur të bojkotojnë punimet e seancës.
PD akuzon shumicën socialiste se ka lënë jashtë kalendarit të punimeve katër projektligje të depozituara prej saj rreth një muaj më parë.
“Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend”, thuhej në deklaratën zyrtare të PD-së.
Në rendin e ditës së kësaj seance, ishte parashikuar edhe interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa si dhe një seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, kërkuar nga deputeti Klevis Balliu.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025”.
Në vijim, Kuvendi do të shqyrtojë disa projektligje, mes të cilëve projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë”.
Gjithashtu, në rend dite është projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.