Mbi 824 mijë vizitorë në sitet e trashëgimisë kulturore, kryeson Kalaja e Gjirokastrës
Institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri publike shifrat e periudhës janar–korrik 2026, gjatë të cilës këto destinacione u vizituan nga 824,340 persona, vendas dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 80% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesit për monumentet, muzetë dhe parqet arkeologjike shqiptare. Në krahasim me vitin 2024, numri i vizitorëve është rritur me 26.4%, ndërsa krahasuar me vitin 2025, rritja është 6.3%.
Në krye të listës së siteve më të vizituara vijon të mbetet Kalaja e Gjirokastrës e ndjekur nga Butrinti me rreth 160 mijë vizitorë secili, ndërsa edhe destinacionet e tjera vijojnë të tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh vendas dhe të huaj:
Kalaja e Gjirokastrës – 161,274 vizitorë
Parku Kombëtar i Butrintit – 158,612 vizitorë
Parku Arkeologjik i Shkodrës – 108,150 vizitorë
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë – 84,177 vizitorë
Parku Arkeologjik i Apolonisë – 77,402 vizitorë
Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” – 57,372 vizitorë
Rritja e numrit të vizitorëve dëshmon interesin në rritje për trashëgiminë kulturore shqiptare, duke e kthyer historinë, monumentet dhe pasuritë arkeologjike në një nga pikat e rëndësishme të atraksionit turistik në vend.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.