Mbrojtja përgatit Apelin, precedenti i Gotovinës shihet si shpresë
Rrëzimi i pretendimeve të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është zhvendosur si betejë në shkallën e Apelit. Derisa mbrojtja po përgatit argumentet për rrëzimin e aktgjykimit, avokatët ndërkombëtarë vlerësojnë se Gjykata ka shkuar përtej kompetencave të saj duke i cilësuar mjetet e luftës për shtetësi si kriminale.
Se sa mund të ndryshojë ky vendim në shkallën e dytë dhe pse përvoja e mbrojtjes në raste të ngjashme në Tribunalin e Hagës po shihet si pikë kthese.
Beteja ligjore për të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është zhvendosur në shkallën e dytë të Gjykatës Speciale. Avokati ndërkombëtar, Luka Mishetiq, i cili është pjesë e ekipeve mbrojtëse në këtë proces, ka reaguar ashpër ndaj interpretimeve të fundit të aktgjykimit kundër ish-udhëheqësve të luftës së Kosovës.
Në një kundërshtim të hapur drejtuar Marko Prelecit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Mishetiq sqaroi se megjithëse Gjykata nuk kishte asnjë juridiksion për të gjykuar të drejtën e Kosovës për pavarësi, ajo tentoi të kriminalizonte mjetet e përdorura për çlirimin e vendit.
Përmes një reagimi në platformën X, Mishetiq vuri në dukje se Gjykata ka bërë një kapërcim të paprecedentë ligjor.
“Trupi Gjykues vendosi se një pjesë e qëllimit të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së ishte që pavarësia e Kosovës të arrihej përmes krimeve të luftës. Edhe Prokuroria nuk shkoi aq larg”, nënvizon Mishetiq.
Ky konstatim i shkallës së parë po vlerësohet si një goditje e pabazuar që cenon thelbin e kauzës çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, kjo situatë nuk shihet e pakthyeshme për të katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Hagë. Nga këndvështrimi i juristëve të vendit, përgatitja e lartë e ekipeve të mbrojtjes dhe përvoja e tyre ndërkombëtare mund të sjellin një kthesë rrënjësore në shkallën e dytë.
Një optimizëm i tillë mbështetet edhe në precedentët e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, e pikërisht në rastin e gjeneralit kroat, Ante Gotovina.
“Këtu duhet ta kemi parasysh rastin e Kroacisë me gjeneralin Ante Gotovina, i cili u dënua nga shkalla e parë, por u lirua në Apel. Ne urojmë që fati i njëjtë t’i përcjellë edhe krerët tanë, sidomos duke pasur parasysh që mbrojtja udhëhiqet nga i njëjti avokat, Luka Misetiq”, tha Florim Shefqeti, avokat.
Rasti i Gotovinës po shërben si pika kryesore e referimit për mbrojtjen dhe njohësit e ligjit, të cilët presin që faza e ardhshme e procesit të zhveshë aktgjykimin nga ngarkesat politike.
Tashmë sytë janë drejtuar nga Gjykata e Apelit. Argumentet e reja të mbrojtjes për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të shpalosen sapo të dorëzohet zyrtarisht njoftimi për apel, duke nisur kështu formalisht procedurat për rrëzimin e vendimit të shkallës së parë./RTK



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.