“Mungesa e stafit të kualifikuar përkeqësoi shërbimin gjatë këtij sezoni veror”
Flet Elvis Kotherja, Themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”
Cilësia e shërbimit është shqetësimi kryesor që Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality” veçon nga sezoni i këtij viti.
Ai e lidh dobësimin e tij me mungesën e stafit të kualifikuar, rritjen e kostove dhe një raport jo gjithmonë të drejtë mes pagës dhe produktivitetit.
Sipas z. Kotherja, presioni mbi bizneset u lë shumë pak hapësirë mbijetese duke ndikuar ose te stafi ose te cilësia e produktit, një zgjidhje që ai e konsideron të paqëndrueshme.
Sipas tij, punonjësit e huaj, profesionalizimi dhe digjitalizimi i strukturave turistike pritet të marrin rol gjithnjë e më të madh në mënyrën se si sektori do ta përballojë këtë problem në afatgjatë.
Si ka qenë ecuria e sezonit veror këtë vit, në këndvështrimin tuaj, dhe çfarë ju bie në sy nga ajo që shihni në lidhje me vizitorët që po vijnë?
Ecuria në shifra mendoj se ka qenë e mirë këtë sezon. Tri sjellje të klientëve janë të ndryshme nga vitet e mëparshme.
Sjellja e parë është se rezervojnë në momentin e fundit dhe kjo vërehet shumë qartë në të gjitha tregjet perëndimore. Çekia, Gjermania dhe tregje të tjera e kanë këtë tendencë, ndërsa Franca është disi më e organizuar dhe rezervon më herët.
Trendi i dytë është se hezitojnë të konsumojnë. Dikur kanë qenë shumë më mirë në shpenzime. Kjo lidhet me dy faktorë. I pari është rënia e euros, e cila ka shkaktuar mbivlerësim të lekut dhe ka bërë që shumë produkte dhe oferta që vijnë nga restorantet të jenë të shtrenjta. Të huajt refuzojnë t’i paguajnë këto çmime.
E dyta është se shërbimi që ofrohet në përgjithësi dhe fuqia punëtore nuk janë aty ku duhet të jenë dhe, praktikisht, oferta nuk është aq tërheqëse.
Tendenca e tretë dhe më e rëndësishmja është se, në përgjithësi, ka një lloj qasjeje për të rritur çmimet. Kur euro zhvlerësohet, e gjithë industria fillon të rrisë çmimet dhe harron se një pjesë shumë e madhe e klientëve në vend janë ata që paguajnë në euro, përfshirë edhe klientët nga Kosova.
Kjo ka bërë që automatikisht të mos jemi konkurrues. Po e humbim konkurrueshmërinë pa vetëdije, në një kohë kur është shumë e rëndësishme që të mbajmë trendin rritës.
Ne kemi nevojë për këta klientë dhe duhet të jemi të kujdesshëm me kostot.
Por nuk duhet të harrojmë se presioni për rritjen e çmimeve është i frikshëm. Të gjithë ata që blejnë mallra janë nën presion për shkak të kostove: kostos së punëtorëve, energjisë, transportit, fjetjes dhe ushqimit.
Kështu siç po ecën zhvlerësimi i euros, turizmi do të ketë fatin e fasonerisë. Kjo do të shkaktojë “cunami” në sektor.
Ka një vlerësim të përgjithshëm se shërbimi këtë vit ka qenë më i ulët në cilësi se vitin e shkuar. Ju e keni hasur këtë?
Nga përvoja ime, këtë vit mendoj se shërbimi ka çaluar. Janë të gjithë ato elemente të kostos për të cilët folëm, pra ku, për të mbijetuar, të duhet të çalosh ose në cilësinë e produktit, ose në staf. Por kjo nuk është zgjidhje.
Arsyeja është se industria vazhdon ende të mos jetë e maturuar. Sipërmarrësit shqiptarë në industrinë e mikpritjes nuk e shohin këtë industri në afatgjatë. Nuk shohin madje as për nesër, por vetëm për sot.
Turizmi pompohet sikur të jetë një minierë ari, ndërkohë që është një industri shumë e rrezikshme nëse nuk e administron siç duhet.
Ka një shpresë dhe një dritë në fund të tunelit, që lidhet me fuqinë punëtore, pas disa marrëveshjeve me vendet e Azisë të cilat mund të sjellin fuqi punëtore të kualifikuar. Kjo mendoj se do të ulë presionin në treg.
Po kështu, mendoj se do të jetë një fazë e rëndësishme ku produktiviteti në punë dhe paga do të takohen. Mangësia që kemi pasur ka shkaktuar rritje të pagave edhe për punonjës të pakualifikuar, pra këta të fundit janë mbiçmuar, duke e futur sektorin në një rreth vicioz pa zgjidhje.
Në shoqërinë shqiptare është krijuar një psikozë sikur kush punon do ta marrë pagën njësoj, si punon, si nuk punon. Kjo është e gabuar. Dëmi nuk i bëhet vetëm punëdhënësit; i bëhet imazhit të vendit dhe të ardhurave që vijnë nga kjo industri, nëse shërbimi vlerësohet “jo i mirë”.
Do të vijë momenti kur do të ketë një zgjidhje dhe të huajt në hotele do të dominojnë si fuqi punëtore. Kjo nuk shmanget. Ka aktualisht struktura që nuk duan të punojnë me shqiptarë, për shkak të disiplinës, rregullit dhe përgjegjësisë. Me kalimin e kohës do të përshtaten të gjithë.
Cili është ngërçi më i madh që shihni sot në industri, përveç mungesës së punonjësve?
Kjo industri duhet automatikisht të digjitalizohet. Ajo që vërej është se te grupmosha mbi 45 vjeç ka një lloj pasigurie dhe një qasje kundërshtuese ndaj teknologjisë, gjë që nuk i shërben aspak kësaj fushe.
Nuk e duan teknologjinë, nuk përshtaten me të dhe ende nuk e kuptojnë se kjo i nxjerr jashtë tregut. E shohin teknologjinë si barrë dhe jo si një mundësi për t’ua lehtësuar punën. Ka raste kur një menaxher i nivelit të lartë nuk di të shkruajë një email, por ndërkohë paguhet 2 mijë euro.
Po sa i takon infrastrukturës, si e shihni situatën këtë vit? Po problemet me trafikun, që përsëriten çdo vit?
Sa i përket infrastrukturës, vërej si problematik segmentin Tiranë-Elbasan, që penalizon Juglindjen, dhe atë nga Miloti në Lezhë, që penalizon Veriun.
Në pjesën tjetër nuk ka qenë shumë keq. Kuptohet që, në sezon, flukset rriten dhe mund të ketë edhe trafik, por infrastruktura në vetvete nuk mund të them se është problem. Trafiku në disa segmente, po.
Ju kishit marrëveshje për të sjellë turistë të organizuar nga vendet nordike përmes Aeroportit të Vlorës, i cili jo vetëm nuk u hap këtë verë, por tashmë nuk ka asgjë të sigurt se kur do të nisë operimin. Çfarë thonë agjencitë e huaja për marrëveshjet e mundshme për të sjellë turistë?
Aeroporti i Vlorës e ka dëmtuar shumë imazhin e turizmit në tërësi. Agjencitë e huaja, sidomos nga tregu nordik dhe ai anglez, kanë qenë të gatshme të sillnin fluturime charter që këtë vit, por tani çdo gjë ka mbetur pezull.
Na kanë thënë që, në momentin e hapjes së aeroportit, t’i njoftojmë dhe të rinisim negociatat. Ne mundohemi që të ruajmë marrëdhëniet dhe të japim arsye objektive, duke shpjeguar praktikisht dhe qartë se cilat janë problemet, por imazhi është dëmtuar.
Pra, ka një lloj zbehjeje të besimit.
Duhet të kuptojmë se presioni më i madh është mbi investitorët, sepse në Jug po investohen miliarda euro dhe të gjitha këto investime kanë një “grace period”, apo periudhë lehtësuese për kthimin e investimit. Për këtë arsye, investitorët janë nën presion.
Kam qenë vetë në Dhërmi dhe nuk ka klientë të huaj aq sa pritej, sepse çmimet janë shumë të shtrenjta. Një i huaj nuk paguan në afatgjatë çmime prej 400 eurosh/nata. Edhe çmimet e ushqimeve në Jug janë shumë të larta. Shkon në supermarket dhe nuk gjen pothuajse asgjë të lirë.
Cila ka qenë sjellja e turistëve të huaj këtë vit në lidhje me net-qëndrimet?
Këtë vit të huajt vijnë dhe qëndrojnë më pak. Ka vazhduar të rritet akomodimi privat, pra apartamentet dhe shtëpitë në platforma si Booking apo Airbnb, si dhe “self-catering”, pra ushqimet që blihen në supermarket dhe gatuhen në shtëpi.
Kjo ka ardhur si efekt i çmimeve, të cilat në disa raste nuk bëjnë sens në raport me cilësinë. Nëse përmirësohet raporti çmim-cilësi, kjo situatë mund të menaxhohet dhe të kemi turizëm me standard, ku secili paguan për atë që merr.
Po vjeshta, si duket nga rezervimet paraprake?
Pjesa e vjeshtës ka rritje, por edhe ajo rrezikon destabilizim, sepse ka rritje kostosh. Klientët duan më të lirën dhe Shqipëria nuk është më edhe aq e lirë.
Vendi ynë e ka këtë rritje të fluksit të vizitorëve nga linjat e shumta “low cost”, por baza jonë mbetet klienti europian dhe duhet të kemi parasysh se edhe Europa nuk është në kushtet e saj më të mira dhe klientët janë bërë shumë të ndjeshëm ndaj çmimit.
Kur atij i rritet kostoja, nuk e ka problem të zgjedhë një vend tjetër.
Cilat janë tendencat që vini re te të huajt? Duket sikur kanë më shumë interes për pjesën tjetër të Shqipërisë dhe jo vetëm për turizmin e detit dhe të rërës. Në platforma, për shembull, ka vlerësime shumë të mira për Beratin, Gjirokastrën dhe Veriun.
Të huajt priren të shpenzojnë për eksperienca. Më pak për ushqim dhe më shumë për eksperienca. Këtu përfshihen aktivitetet ditore dhe kjo është ajo që ka rritje dhe do të vazhdojë të ketë rritje. Buxhetet janë orientuar në këtë drejtim.
Sektori i ushqimit dhe pijeve, nga ana tjetër, është në rënie. Nuk kanë më të njëjtin interes për këtë pjesë. Këto tendenca do të vijojnë të mbeten edhe në vazhdim.
Nga ana tjetër, mendoj se jemi në një fazë kur ka nisur ajo shkundja e tregut, që në pesë vitet e ardhshme do të bëhet më e dukshme. Strukturat që janë të konsoliduara do të vazhdojnë të kenë të ardhura të kënaqshme, ndërsa pjesën tjetër do ta rregullojë tregu, duke i nxjerrë jashtë.
Do të konsolidohen kompanitë dhe përvojat. Në tërësi do të ketë konsolidim në të gjithë sektorët, përfshirë edhe agroturizmet, që janë një segment shumë i rëndësishëm dhe që, sërish, besoj se do të kalojnë të njëjtin proces si turizmi në tërësi.
Kush ka punuar mirë dhe ka sjellë një eksperiencë të mirë për turistët, do të rezistojë.
LEXONI EDHE:



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.