MD po e analizon Projektligjin e PDK-së, Gërvalla: Kërkohet analizë e kujdesshme dhe pa nxitim
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është duke u shqyrtuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo ka thënë se pas përfundimit të analizës, Ministria e Drejtësisë do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin për këtë nismë, duke theksuar se procesi nuk do të zvarritet, por as nuk duhet të bëhet me nxitim.
“Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë kërkojnë bashkërendim të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Shumica e gjërave që lidhen me dhomat e specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime.
Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, tha ajo, raporton kp.
Ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka proceduar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Kreu i PDK-së Bedri Hamza, ka thënë se kjo nismë nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ajo është krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të saj. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.