METEO – “Copernicus”: Evropa Perëndimore regjistroi qershorin më të nxehtë në histori
BERLIN, 9 korrik /ATSH-DPA/- Muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore, ndërsa në shkallë globale ishte qershori i dytë më i nxehtë në histori, sipas Shërbimit të Bashkimit Evropian për Ndryshimet Klimatike, “Copernicus”.
Sipas këtij shërbimi, temperatura mesatare në Evropën Perëndimore arriti në 20,74 gradë Celsius, më shumë se 3 gradë mbi mesataren e muajit qershor për periudhën 1991–2020.
Në nivel global, temperatura mesatare ishte 16,54 gradë Celsius, ose 0,56 gradë më e lartë se mesatarja e qershorit për periudhën 1991–2020. Gjithashtu, qershori i vitit 2026 ishte 1,39 gradë më i ngrohtë se mesatarja e vlerësuar e periudhës paraindustriale 1850–1900, sipas “Copernicus”.
Shërbimi theksoi se vala e të nxehtit gjatë gjysmës së dytë të qershorit, e cila pasoi një tjetër periudhë me temperatura jashtëzakonisht të larta në maj, theu rekorde temperaturash në disa vende të Evropës Perëndimore.
Sipas raportit, kjo seri ngjarjesh ekstreme meteorologjike nxjerr në pah sfidat që pritet të përballen në të ardhmen. Ndërkohë, kushtet e thata në jugperëndim të Evropës favorizuan përhapjen e zjarreve në pyje.
“Copernicus” njoftoi gjithashtu se temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve, jashtë rajoneve polare, arriti në 20,86 gradë Celsius gjatë qershorit, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.
Drejtuesja strategjike për klimën në “Copernicus”, Samantha Burgess, deklaroi se qershori i vitit 2026 dëshmon qartë shkallën e ndryshimeve klimatike që po vazhdojnë të ndodhin.
Sipas saj, kombinimi i temperaturave rekord të ajrit dhe oqeaneve tregon se sistemi klimatik vazhdon të grumbullojë nxehtësi, duke sjellë valë të nxehti gjithnjë e më intensive, oqeane vazhdimisht më të ngrohta dhe rreziqe në rritje për njerëzit, ekosistemet dhe infrastrukturën në mbarë Evropën dhe më gjerë.
“Copernicus” publikon rregullisht të dhëna mbi temperaturat globale të sipërfaqes së Tokës, akullin detar dhe reshjet, të bazuara në analiza kompjuterike që kombinojnë miliarda vëzhgime nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet meteorologjike në mbarë botën. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.