Mickoski: Pres që dizeli të shitet më lirë për 7 denarë dhe benzina për 4 denarë
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski sot paralajmëroi ulje të ndjeshme të çmimeve të derivateve të naftës nga e hëna, kur Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet t’i shpallë çmimet e reja.
Mickoski tha se pret që, pas stabilizimit të situatës në Lindjen e Mesme, çmimet e benzinës të ulen për rreth 4 denarë për litër, ndërsa çmimi i dizelit për rreth 7 denarë.
“Masat në parim përfunduan. Me njoftimet për marrëveshjen e arritur, kushtimisht thënë, mes palëve të përfshira në konflikt në Gjirin Persik, në këtë rast SHBA-së dhe Iranit, ndërsa sot vazhdojnë negociatat përfundimtare për finalizimin e asaj marrëveshjeje, vlerësoj se tregu do të stabilizohet. Duhet të kemi parasysh se edhe nëse ngushtica e Hormuzit hapet sot, cisternat që do të nisen kanë nevojë për rreth një muaj për të arritur në destinacion, kështu që edhe kjo është një procedurë që kërkon kohë. Duke marrë parasysh të gjitha këto aspekte, si dhe faktin që në tryezën e paqes janë edhe Izraeli dhe Hezbollahu, pres që kjo krizë të përmbyllet dhe të hyjmë në ujëra më të qeta sa i përket çmimit të naftës. Vlera e dollarit është rritur pak, por pres që të hënën çmimi i benzinës të ulet për rreth 4 denarë, ndërsa te dizeli pres ulje edhe më të madhe, përkatësisht rreth 7 denarë”, deklaroi Mickoski.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.