MILANO – Për të dytën ditë radhazi, përplasje, gaz lotsjellës dhe plaçkitje
MILANO, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Për të dytën ditë radhazi, të rinjtë dhe policia u përplasën sot në qendër të Milanos, kryeqendrës ekonomike të Italisë, ku persona të dhunshëm hodhën shishe dhe plaçkitën dyqane në zonën pranë katedrales së qytetit.
Dhuna nisi të shtunën, në kuadër të një proteste kundër rritjes së kostos së jetesës.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, policia ka arrestuar rreth 70 persona që nga dita e shtunë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, thirri sot një mbledhje për sigurinë, e cila do të zhvillohet të hënën, për të trajtuar situatën e krijuar.
Ngjarjet në Milano kanë ngjallur shqetësime për shkak të ngjashmërisë me skenat e kaosit dhe plaçkitjeve të regjistruara një ditë më parë në Paris, megjithëse në përmasa më të vogla.
Përplasje të ngjashme u raportuan edhe në qytete të tjera të veriut të Italisë, përfshirë Bolonjën dhe Torinon.
Të dielën, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë grupe protestuesish në sheshin e katedrales së Milanos, në zemër të qendrës historike dhe turistike të qytetit.
Pamjet filmike tregojnë të rinj, kryesisht burra dhe shumë prej tyre të maskuar, duke hedhur sende drejt automjeteve të policisë.
Ndërkohë, një supermarket në rrugën tregtare ”Via Torino” u plaçkit, ndërsa kosha mbeturinash u përmbysën dhe skuterë e biçikleta u dëmtuan.
Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, nga qendra e majtë, tha se kishte parë vitrina të thyera, dyqane të plaçkitura dhe qytetarë të frikësuar.
“Ajo që ndodhi këtu është ajo që po shohim në shumë qytete të botës”, deklaroi Sala duke shprehur shqetësimin se bëhet fjalë për një fenomen të ri, i cili lidhet edhe me zhvillimet ndërkombëtare dhe përforcohet prej tyre.
Kryeministrja Meloni i cilësoi të shtunën autorët e akteve të dhunës si “huliganë që shfrytëzojnë protestat për të mbjellë kaos, për të sulmuar ata që garantojnë sigurinë dhe për të marrë peng qytete të tëra”.
“Protesta është një e drejtë. Shkatërrimi i qyteteve tona nuk është”, shkroi ajo në rrjetin social X.
Qeveria italiane e koalicionit të djathtë dhe të ekstremit të djathtë pritet të përballet me zgjedhje të reja në vitin 2027./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.