Ministri Hoxha nga Nju Jorku: Bashkëpunimi rajonal, domosdoshmëri strategjike për sigurinë në Ballkan
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor.
Hoxha mori pjesë në një diskutim të zhvilluar në kuadër të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Takimi u organizua në kuadër të Kryesive të Rumanisë të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxha u ndal te sfidat me të cilat përballet rajoni dhe bota, duke përmendur pasigurinë në rritje, konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe presionet ekonomike.
Sipas tij, përballë këtyre zhvillimeve, përgjigjja duhet të jetë më shumë bashkëpunim dhe dialog, si dhe veprime konkrete, në vend të fragmentimit dhe konfrontimit.
Hoxha theksoi se bashkëpunimi rajonal nuk mund të shihet më thjesht si një çështje e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por si një domosdoshmëri strategjike për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal mbetet një gur themeli i politikës sonë të jashtme dhe një investim strategjik në paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi”, deklaroi ministri Hoxha.
Ai vuri gjithashtu në dukje lidhjen mes bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Lidhjet më të forta rajonale ndihmojnë në avancimin e perspektivës evropiane, ndërsa perspektiva e anëtarësimit në BE ofron një shtysë të fuqishme për bashkëpunim, reformë dhe lidhshmëri. Besimi mundëson bashkëpunimin, bashkëpunimi forcon qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmëria krijon mundësi për qytetarët tanë”, përfundoi Hoxha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.