Ministria e Financave nxjerr udhëzimin e ri kundër pastrimit të parave, zgjerohet raportimi për vlerësimin e rrezikut
Udhëzimi Administrativ Nr. 03/2026 plotëson atë të vitit 2018 dhe kërkon raportimin e burimeve njerëzore dhe buxhetit të alokuar për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit
Kosova ka ndërmarrë një hap të ri për forcimin e mekanizmave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke zgjeruar kërkesat e raportimit për kapacitetet institucionale dhe financiare, sipas dokumentit zyrtar, të siguruar nga KosovaPress.
Siç njofton KosovaPress, Ministria e Financave, e udhëhequr nga Hekuran Murati, ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2026, i cili plotëson dhe ndryshon udhëzimin e vitit 2018 për vlerësimin e rrezikut kombëtar nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.
Ndryshimet zgjerojnë raportimin mbi strukturën institucionale dhe procedurat e parandalimit. Në këtë raportim përfshihen Njësia e Inteligjencës Financiare, autoritetet tatimore dhe prokuroritë, si dhe informacionet mbi burimet njerëzore dhe financiare të ndara për këtë luftë, për aq sa ato janë në dispozicion.
Në nenin 4 të udhëzimit ekzistues shtohen dy paragrafë të rinj, të cilët kërkojnë raportimin e burimeve njerëzore dhe buxhetit të alokuar për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Synimi, sipas dokumentit, është një pasqyrë më e plotë në vlerësimin e rrezikut kombëtar.
Udhëzimi transpozon plotësisht Direktivën e BE-së 2015/849, të ndryshuar me Direktivën 2018/843, dhe hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.