Islami: Takimi i Listës Studentore me ambasadorin rus, dëshmon vazhdimësinë e politikës së Beogradit ndaj Kosovës
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me takimin e përfaqësuesve të Listës Studentore, Dejan Shoshkiq dhe Miodrag Kërmar, me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Islami ka vlerësuar se ky takim dëshmon orientimin politik të Listës Studentore drejt vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Federatën Ruse, veçanërisht sa i përket çështjes së Kosovës.
“Takimi i përfaqësuesve të Listës Studentore me ambasadorin rus në Serbi dëshmon orientimin politik të kësaj liste drejt vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Federatën Ruse, veçanërisht në raport me çështjen e Kosovës”, ka deklaruar Islami.
Ai ka theksuar se gjatë takimit është riafirmuar mbështetja ruse për politikën e Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e Listës Studentore janë zotuar se Serbia, edhe nën qeverisjen e tyre, nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.
Nga këndvështrimi i sigurisë, Islami e ka cilësuar këtë zhvillim si shqetësues për Kosovën.
“Shqetësues është fakti se Lista Studentore konfirmon vazhdimësinë e politikës së Beogradit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në përkrahjen diplomatike të Moskës”, ka theksuar ai.
Sipas Islamit, marrëdhënia mes Beogradit dhe Moskës krijon mundësi për koordinim të mëtejshëm në platformat ndërkombëtare, me synim kundërshtimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës.
“Kjo marrëdhënie krijon hapësirë për koordinim të mëtejshëm ruso-serb në platformat ndërkombëtare, me synim kundërshtimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe pengimin e konsolidimit të pozitës së saj ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e tij.
Në përfundim, Islami ka vlerësuar se takimi nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në qëndrimet politike të Serbisë ndaj Kosovës, por vazhdimësi të politikës së deritanishme.
“Lista Studentore nuk paraqet ndryshim të orientimit politik të deritanishëm të Serbisë, por vazhdimësi të qëndrimeve kundërshtuese ndaj shtetësisë së Kosovës dhe mbështetje në aleancën me Rusinë”, ka përfunduar Islami. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.