Mitingu i PD, 140 të helmuar, mister shkaqet
Në Shqipëri mbi 70 persona të gjithë pjesmarës në mitingun e të shtunës të opozitës shqiptare që shënoi hapjen e fushatës së sal elektorale janë paraqitur gjatë orëve të mëngjesit të ditës së dielë në spitain e Tiranës me shenja helmimi
Që të gjithë kishin të njejtat simptoma si skuqje, kruarje dhe djegie të syve apo dhe irritim në fytyrë dhe ne pjesën e qafës. Disa prej tyre kanë shfaqur edhe vështirësi të lehta në frymëmmarrje. Vetëm një numër i vogël është mbajtur për kujdes të mëtejshëm, ndërsa pjesa tjetër ka lënë brenda një kohe të shkurtër spitalin. Shenjat e helmimit kanë prekur dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, i cili gjithashtu është paraqitur në spital në orët e para të mëngjesit.
Për këtë ngjarje janë angazhuar një numër institucionesh. Për disa orë sheshi para kryeministrisë ku u mbajt mitingu i djeshëm u bllokua nga policia ndërsa ekspertët e saj po ekzaminonin vendin. Në hetime është përfshirë dhe prokuroria ndërsa për zbulimin e kësaj ngjarjeje janë përfshirë dhe strukturat e antiterrorit dhe të shërbimeve sekrete, por edhe kimistët e ushtrisë. Dyshimet janë se mund të ketë qenë dhe një ngjarje e qëllimshme, ndërsa mbetet ende e paqartë se cfarë lënde mund të ketë shkaktuar helmimin.
Duke komentuar ngjarjen, kryetari demokrat Lulzim Basha tha dje pasdite se “Kam folur me shumë prej të prekurve, fatmirësisht efektet janë anësore dhe të përkohshme, jo serioze dhe të gjithë janë të vendosur. Unë mund të them se është detyra e autoriteteve shtetërore të vendosin para përgjegjësisë autorët, kushdo qofshin. Nëse nuk ndodh, kjo është një tjetër provë e gjunjëzimit total të shtetit. Ne do të bëjmë analizën tonë”.
Më vonë ka mbërritur dhe reagimi i Partisë Socialiste. “Ditën e sotme, në orën 5:00 të mëngjesit, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës ishte pranë njerëzve që kërkuan ndihmë për simptomat e shfaqura. Gjysmë ore më vonë, drejtori i përgjithshëm i policisë urdhëroi sigurimin e hapësirës publike ku u zhvillua aktiviteti i mbrëmjes së djeshme dhe hetimet vazhdojnë ende. Pra, institucionet po punojnë dhe të gjitha autoritetet përkatëse ishin gati për të ofruar ndihmesën e tyre. Thënë kjo, ne i bëjmë seriozisht thirrje PD-së që të përqëndrohet te çështjet e vërteta të fushatës dhe të mos merret me teori konspiracioni”, nënvizon Partia Socialiste ndërsa i uron “shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve dhe veçanërisht liderit të opozitës”.