Mitrush Kuteli, 119 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe ekonomistit të shquar shqiptar
Akademia e Shkencave e Shqipërisë kujtoi sot, në 119-vjetorin e lindjes, shkrimtarin, përkthyesin, ekonomistin dhe studiuesin Dhimitër Pasko, i njohur në letërsi me pseudonimin Mitrush Kuteli.
Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec dhe u shqua për kontributin e tij në letërsi, publicistikë, folklor, kritikën letrare, ekonomi dhe financë.
Më 1926-n, 19- vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.
Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra, si dhe shkrime profesionale që i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Për shkak të kritikave që bënte për drejtimin e bankave në Shqipëri, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vijonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar.
Megjithatë ai ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj, ndërkohe që lexonte literaturë në frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar dhe më pas u zgjodh sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”.
U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Ai mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942.
Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrënimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare. Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika.
Përveç veprimtarisë letrare, Kuteli dha kontribute në zhvillimin e ekonomisë dhe financave shqiptare, veçanërisht në fushën e monedhës kombëtare dhe në ngritjen e Bankës së Shqipërisë.
Mitrush Kuteli u nda nga jeta më 4 maj 1967 në Tiranë. Për kontributin e tij të shquar në kulturën dhe mendimin shqiptar, ai është shpallur “Nderi i Akademisë së Shkencave”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.