“Mos e goditni prodhuesin vendor”: AKB kërkon hetim për fushatat kundër “Made in Kosovo”
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar lidhur me, siç thotë, fushatat dhe deklaratat që dëmtojnë besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, duke kërkuar nga institucionet që të hetojnë çdo dyshim për veprime të organizuara kundër prodhimit “Made in Kosovo”.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka kërkuar trajtim të barabartë të produkteve vendore dhe atyre të importuara, duke shprehur shqetësim për, siç thotë, fushatat apo veprimet që mund të dëmtojnë besimin e konsumatorëve ndaj prodhimit vendor dhe markës “Made in Kosovo”.
AKB vlerëson se në një kohë kur Kosova vazhdon të shpenzojë miliarda euro për importe dhe ekonomia mbetet e varur nga produktet e huaja, presioni ndaj prodhuesve vendorë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi, punësim dhe zhvillimin e sektorit privat.
“Konsiderojmë të papranueshme çdo fushatë, deklaratë apo veprim që dëmton besimin e konsumatorëve ndaj prodhimeve vendore dhe markës ‘Made in Kosovo’”.
Sipas kësaj organizate, prodhuesit vendorë janë ata që investojnë në Kosovë, punësojnë qytetarë, paguajnë tatime dhe krijojnë vlerë brenda ekonomisë së vendit.
“Në një kohë kur Kosova vazhdon të shpenzojë miliarda euro për importe dhe ekonomia jonë mbetet e varur nga produktet e huaja, është paradoksale që presioni më i madh të bjerë mbi prodhuesin vendor – atë që investon në Kosovë, punëson qytetarët tanë, paguan tatime dhe krijon vlerë brenda vendit”.
AKB thotë se nuk është kundër kontrolleve të produkteve ushqimore dhe standardeve të sigurisë, por kërkon që këto kontrolle të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
“AKB nuk është kundër kontrolleve. Përkundrazi, kontrollet e rrepta janë të domosdoshme për çdo produkt që hyn në tregun e Kosovës. Por kontrolli duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, thuhet në deklaratë.
Sipas AKB-së, nëse një prodhues vendor kontrollohet, testohet dhe kufizohet në bazë të standardeve të përcaktuara, atëherë të njëjtat kritere duhet të zbatohen edhe për produktet që importohen nga jashtë.
“Nëse një prodhues vendor kontrollohet, testohet dhe kufizohet, atëherë edhe produktet e importuara duhet t’i nënshtrohen të njëjtit nivel kontrolli, analizash laboratorike dhe transparence, pa marrë parasysh nga cili shtet vijnë apo kush i importon”.
Organizata kërkon përgjigje institucionale edhe lidhur me shqetësimet e ngritura nga prodhues vendorë për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajrave bimore në prodhimin e nënprodukteve të qumështit.
“AKB kërkon përgjigje institucionale edhe për rastet e ngritura nga prodhuesit vendorë lidhur me përdorimin e qumështit pluhur dhe vajrave bimore, ku pretendohet se produkte apo lëndë të para të importuara lejohen në treg, ndërsa prodhuesve vendorë u vendosen kufizime për përdorimin e tyre në prodhimin e nënprodukteve të qumështit”, thuhet në deklaratë.
AKB kërkon që institucionet të sqarojnë nëse rregullat dhe kriteret janë të njëjta për prodhuesit vendorë dhe importuesit.
“Nëse rregullat janë të njëjta, le të publikohen. Nëse nuk janë të njëjta, institucionet duhet të japin shpjegim. Transparenca nuk mund të jetë selektive”.
Kërkohet publikimi i rezultateve të kontrolleve
AKB ka kërkuar transparencë më të madhe nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e produkteve ushqimore, përfshirë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Organizata thotë se kontrollet duhet të shoqërohen me të dhëna konkrete dhe të bëhen publike rezultatet e analizave laboratorike.
“AKB i mirëpret kontrollet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Por kontrollet duhet të shoqërohen me transparencë të plotë”, thuhet në deklaratë.
Sipas AKB-së, konsumatorët duhet të kenë qasje në informacionet për produktet që kontrollohen dhe rezultatet e këtyre kontrolleve.
“Publiku ka të drejtë të dijë: cilat produkte janë kontrolluar, sa mostra janë marrë, cilat kanë qenë rezultatet laboratorike, cilat produkte kanë rezultuar jashtë standardeve, çfarë masash janë ndërmarrë, si dhe sa produkte të importuara janë kontrolluar dhe me çfarë rezultatesh”, thekson AKB.
“Nuk mjafton të thuhet ‘kemi kontrolluar’. Duhet të publikohet çfarë është kontrolluar dhe çfarë kanë treguar analizat”, shton organizata.
Përveç kontrolleve dhe standardeve, AKB ka ngritur edhe shqetësimin për pretendimet se mund të ketë interesa të caktuara tregtare që synojnë krijimin e mosbesimit ndaj produkteve vendore.
AKB thotë se nuk akuzon individë apo kompani pa prova, por kërkon që çdo dyshim për fushata të organizuara kundër prodhimit vendor të hetohet nga institucionet kompetente.
“AKB është e shqetësuar edhe nga pretendimet dhe shqetësimet e ngritura në komunitetin e biznesit se mund të ketë interesa të caktuara tregtare që përpiqen të krijojnë mosbesim ndaj produkteve ‘Made in Kosovo’”, thuhet në deklaratë.
“AKB nuk paragjykon dhe nuk akuzon askënd pa prova, por kërkon që çdo dyshim për fushata të organizuara, sponsorizuara apo të financuara për denigrimin e prodhimit vendor të verifikohet nga institucionet kompetente”, thekson organizata.
Sipas AKB-së, konkurrenca në treg duhet të zhvillohet përmes cilësisë, çmimit dhe respektimit të standardeve dhe jo përmes dëmtimit të imazhit të produkteve vendore.
“Konkurrenca duhet të zhvillohet mbi cilësi, çmim dhe standarde, jo përmes diskreditimit të prodhuesit vendor. Është e papranueshme që dikush të fitojë treg duke dëmtuar imazhin e produktit që prodhohet në Kosovë”.
Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se mbështetja dhe mbrojtja e prodhimit vendor nuk duhet të konsiderohet proteksionizëm, por interes ekonomik i vendit.
Sipas organizatës, Kosova duhet të rrisë kapacitetet prodhuese, të zgjerojë eksportet dhe të ulë varësinë nga importet.
“ Kosova nuk mund të vazhdojë të jetë vetëm treg për produktet e huaja. Ne duhet të prodhojmë më shumë, të eksportojmë më shumë dhe të importojmë më pak”, thekson AKB.
Për këtë arsye, AKB kërkon që institucionet të krijojnë kushte të barabarta për prodhuesit vendorë dhe operatorët ekonomikë që importojnë produkte në Kosovë.
Organizata ka paraqitur edhe një sërë kërkesash konkrete, duke përfshirë kontrolle të njëjta dhe të rrepta për produktet vendore dhe ato të importuara, publikimin e rezultateve të analizave laboratorike, dokumentimin e kontrolleve për produktet dhe lëndët e para që importohen, si dhe hetimin e çdo fushate të dyshimtë kundër markës “Made in Kosovo”.
Në listën e kërkesave janë përfshirë edhe luftimi i konkurrencës së pandershme, mbështetja konkrete për prodhuesit vendorë dhe mbrojtja e konsumatorit pa standarde të dyfishta.
Shahini: Çdo fabrikë që mbyllet është humbje për ekonominë
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se dobësimi i prodhimit vendor ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e Kosovës dhe në tregun e punës.
“Kosova nuk mund të bëhet shtet ekonomikisht i fuqishëm duke e dobësuar prodhimin e vet. Çdo fabrikë që mbyllet është një humbje për ekonominë. Çdo vend pune që humbet është një barrë më shumë për familjen dhe shtetin”, ka thënë Shahini.
Ai ka vlerësuar se largimi i prodhuesve vendorë nga tregu do ta rriste edhe më tej varësinë e Kosovës nga produktet e importuara.
“Çdo prodhues që largohet nga tregu i Kosovës e rrit edhe më shumë varësinë tonë nga importi”, ka deklaruar ai.
Shahini ka kërkuar që produktet vendore të trajtohen si pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të vendit dhe që marka “Made in Kosovo” të mbështetet nga institucionet dhe të mos dëmtohet përmes fushatave apo veprimeve që cenojnë besimin e konsumatorëve.
“Prandaj, ‘Made in Kosovo’ nuk duhet të sulmohet, denigrohet apo përdoret si objekt fushatash – duhet të mbrohet, promovohet dhe të bëhet simbol i fuqisë ekonomike të Kosovës”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) mbrëmjen e së premtes njoftoi se ka urdhëruar të tërhiqen nga tregu 12 produkte të Qumështores Vita. Kjo pasi tha se në ato produkte që janë paraqitur se kanë përmbajtje shtazore, është konstatuar “prani e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar”.
Njoftimi i AUV-it, erdhi vetëm disa orë pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njoftoi për tërheqjen nga tregu të disa produkteve të qumështit nga kompani të tjera, por jo nga Vita. Kompania ndërkaq, publikoi disa rezultate, që pretendoi se vërtetojnë se në qumështin e saj nuk ka vaj palme.
“Për produktet e kompanisë ‘Abrazen-Vita’, procesi i inspektimit ende është në zhvillim”, tha MINTI në njoftimin e dërguar në orën 20:00, pak më shumë se dy orë para se AUV-i të dilte me njoftimin e ndarë.
Kontrollet nisën pasi më 4 gusht, AUV prezantoi gjetje, dhe tha se në rreth 20 për qind të mostrave të analizuara të produkteve të qumështit në Kosovë, pati mospërputhje mes përbërësve dhe deklarimeve në etiketë.
Shumica e mospërputhjeve kishin të bënin me praninë, por jo me deklarimin e vajit të palmës.
Gjetjet u publikuan pas një kontrolli të përgjithshëm për rreth 3 muaj të kryer nga AUV-ja.
Debati për çështjen e sigurisë së produkteve të qumështit u intensifikua në fillim të korrikut, pasi inspektorët e AUV-së, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën Vita në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.
Teksa priteshin rezultatet përfundimtare, kompania pezulloi përkohësisht punën duke çuar në përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.