MUZIKË- 57 vjet pas ndarjes, Beatles vazhdojnë të fitojnë miliona
– Trashëgimia e “The Beatles” vijon të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme për familjet e katër anëtarëve kryesorë të grupit, shkruan corriere.it.
Sipas bilancit të vitit 2025 të kompanisë Apple Corps, të miratuar më 28 shtator dhe depozituar në Londër më 30 shtator, Yoko Ono Lennon, Ringo Starr, Paul McCartney dhe Olivia Harrison kanë përfituar rreth 10 milionë euro secili gjatë vitit të fundit.
Apple Corps, e krijuar në vitin 1963 fillimisht me emrin “The Beatles Limited”, administron një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve tregtare që lidhen me grupin, përfshirë katalogun muzikor, të drejtat e autorit, emrin dhe imazhin e Beatles, si dhe produksionet filmike.
Sipas të dhënave financiare, të ardhurat e grupit për periudhën shkurt-dhjetor 2025 arritën në rreth 51 milionë euro, ose 44 milionë paund, krahasuar me 31.8 milionë euro në periudhën e mëparshme.
Kompania e ka cilësuar aktivitetin e saj të zakonshëm si në rritje të ndjeshme.
Një pjesë e konsiderueshme e parave u shpërndahet katër familjeve përmes pagesave për shërbime promovuese dhe përdorimin e emrit dhe imazhit.
Secili prej aksionerëve përfitoi rreth 8.9 milionë euro, ndërsa dividentët shtuan më shumë se 1 milion euro për person.
Këto shifra nuk përfshijnë të ardhurat e tjera që familjet marrin individualisht nga të drejtat personale të lidhura me muzikën dhe trashëgiminë e anëtarëve të grupit.
Në këshillin drejtues të Apple Corps ka përfaqësues të të katër familjeve.
Për familjen Lennon janë dy përfaqësues: Yoko Ono Lennon dhe djali i John Lennon, Sean Ono Lennon.
Kanë kaluar 57 vjet nga paraqitja e fundit publike e Beatles si grup i plotë, më 30 janar 1969, në koncertin e famshëm në çatinë e ndërtesës së Apple Corps në Savile Row, në Londër.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.