Nagavci: Ndryshimi i ligjit sot nuk i kthen ish-drejtuesit e UÇK-së në atdhe, nuk e zhbën dëmin
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se çështja e Dhomave të Specializuara është një çështje me rëndësi të veçantë, duke theksuar se vendimi për themelimin e tyre është marrë në vitin 2015.
Nagavci ka rikujtuar se Vetëvendosje ka qenë kundër krijimit të Dhomave të Specializuara dhe se, sipas saj, ky qëndrim nuk ka ndryshuar as sot.
“E kemi para vetes sot një çështje të rëndësisë së veçantë, e cila do duhej të zgjidhej në vitin 2015, ku u mor një vendim i rëndësisë së lartë”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se qëndrimi i saj dhe i subjektit politik që përfaqëson ka qenë që çdo vepër penale e kryer nga individë të trajtohej nga institucionet e drejtësisë brenda Kosovës.
“Ne ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara dhe qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar edhe sot. Çdo vepër penale e kryer nga individë duhej të kryhej në institucionet e drejtësisë brenda Kosovës”, është shprehur ajo.
Sipas Nagavcit, shumica parlamentare e vitit 2015 mori një tjetër vendim, duke bërë ndryshime kushtetuese dhe duke i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
“Shumica parlamentare e vitit 2015 bëri zgjedhje tjetër, u ndryshua Kushtetuta dhe u themelua Gjykata Speciale”, ka thënë deputetja.
Nagavci e ka cilësuar si të vonuar reagimin e sotëm, duke theksuar se kanë kaluar 11 vjet nga vendimi për themelimin e Dhomave të Specializuara.
“11 vjet më vonë, reagimi është i vonuar”, ka deklaruar ajo, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, Nagavci ka bërë të ditur se nëse ata që e mbështetën themelimin e kësaj gjykate në vitin 2015 tani kërkojnë ndryshimin e ligjit, ajo dhe grupi i saj parlamentar do ta mbështesin një përpjekje të tillë.
“Edhe nëse ata që e mbështetën këtë zgjidhje më 2015 sot kërkojnë ta ndryshojnë ligjin, ne do ta mbështesim këtë përpjekje”, ka theksuar Nagavci.
Në anën tjetër, deputetja ka paralajmëruar se ndryshimi i ligjit nuk duhet të shihet si zgjidhje automatike për situatën e krijuar.
“Ndryshimi i ligjit sot nuk i liron personat e dënuar dhe nuk i kthen ish-drejtuesit e UÇK-së në atdhe”, ka thënë ajo.
Nagavci ka vlerësuar se reagimi i vonuar nuk duhet të pasohet nga bindja se është gjetur një zgjidhje e shpejtë për një çështje kaq komplekse. Sipas saj, përveç veprimeve ligjore, nevojitet edhe një përpjekje e madhe diplomatike.
“Reagimi i vonuar nuk duhet të pasohet nga bindja se e kemi bërë një zgjidhje të shpejtë. Duhet të bëhet një përpjekje e madhe diplomatike, pasi pasojat kanë prekur edhe ligjin”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka përmbyllur qëndrimin e saj duke theksuar se ndryshimi i ligjit në këtë moment nuk mjafton për ta zhbërë situatën e krijuar ndër vite.
“Ndryshimi i ligjit sot nuk e zhbën këtë dëm”, ka përfunduar Nagavci. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.