Ndalohen tre persona për keqpërdorim detyre – në mesin e tyre një noter
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka ndaluar tre persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës, ndërkaq në mesin e të arrestuar është edhe një noter nga Vitia.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj dhe në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një urdhër kontroll, ku me ç’rast me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, janë ndaluar tre persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh.
Të dyshuarit janë A.S noter – komuna e Vitisë, I.M Prishtinë dhe F.N, komuna e Dragashit, nën dyshimin e veprave penale “Legalizimi i përmbajtjes së pa vërtetë në bashkëkryerje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Ndalimi i tre të pandehurve në këtë rast është bërë si rezultat i vazhdimit të hetimeve që ndërlidhet me rastin paraprak, ku më herët nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u ndaluan edhe pesë persona të tjerë, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se ndaj të pandehurve në këtë çështje penale, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore. /Telegrafi/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.