“Ndëshkim maksimal për autorin!”, Rama dhe Lamallari pas vrasjes së policit në Maliq: Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes me armë që ndodhi mëngjesin e kësaj të enjteje, në Maliq, ku u vra një efektiv policie dhe mbeti i plagosur një tjetër.
Në reagimin e tij, Rama e ka quajtur kurajoz operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit që prej vitesh fshihej në një stan në male. Ai shpreh nderimet për efektivin Enea Mekolli, të cilin e quan dëshmor të atdheut ndërsa kërkon ndëshkim maksimal për autorin.
„Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli! Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër.
Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.“, shkruan kryeministri.
Pas kreut të qeverisë, një tjetër reagim vjen nga ministri për Punët e Brendshme Besfort Lamallari. Ai shkruan se sot një familje ka humbur njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit një koleg, ndërsa Shqipëria një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.
Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes Mekolli, ministri Lamallari e dënon me forcë ngjarjen, duke e cilësuar atë si një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të policisë, por edhe ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve dhe paralajmëron se autori i ngjarjes do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.
Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij.
Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund.”, shkruan ministri.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë malore të Lozhanit, ku forcat e policisë kishin lokalizuar dhe kishin nisur operacionin për kapjen e 43-vjeçarit me inicialet V.B., i dënuar më parë në mungesë me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Si pasojë e përplasjes me armë, humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa u plagos një tjetër efektiv me inicialet E.A., i cili fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin e Korçës dhe më pas u transportua drejt Tiranës për trajtim të specializuar me helikopter.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.