Evazion fiskal mbi 1 milion euro, kompania dhe administratori përfundojnë në gjykatë
Një kompani private dhe administratori i saj janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Fierit, të akuzuar për fshehje të të ardhurave dhe evazion fiskal.
Sipas hetimeve, shoqëria “S” sh.p.k. nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën e mbi 133 milionë lekëve gjatë vitit 2017, ndërsa nuk ka dorëzuar as librat e shitjes dhe të blerjes. Nga kjo skemë, detyrimi tatimor i shmangur llogaritet në rreth 48.8 milionë lekë.
Për këtë çështje, Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë dhe administratorin e saj, shtetasin S.L.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq Shoqërinë ‘S’ sh.p.k., dhe administratorin e saj, shtetasin S.L., të akuzuar për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 1150, të vitit 2021, përfshirë kontrollet tatimore, të dhënat bankare, të dhënat e deklaruara nga klientët e shoqërisë dhe aktin e ekspertimit kontabël, rezulton se gjatë viteve 2017–2018 kjo shoqëri nën drejtimin e administratorit të saj shtetasit S.L, nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë për vitin 2017 dhe nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm të konsiderueshëm, si shkak i evazionit fiskal.
Sipas aktit të ekspertimit kontabël, detyrimi tatimor i shmangur për periudhën objekt akuze arrin në 48.834.581 lekë, nga të cilat 46.695.471 lekë (TVSH dhe Tatim mbi Fitimin) për vitin 2017 dhe 2.139.110 lekë TVSH për vitin 2018. Detyrimi total i shoqërisë ndaj buxhetit të shtetit, përfshirë gjobat dhe interesat, sipas Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, është 112.604.938 lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në fushën tatimore, të cilat dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e ndershme ndërmjet tatimpaguesve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.