Ndihma shtetërore drejt reformimit, krijohet Autoriteti i ri i Pavarur, gjoba deri në 5% të xhiros për shkelësit
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë të re ligjore që synon transformimin thelbësor të mënyrës se si kontrollohet dhe monitorohet ndihma shtetërore në vend. Përmes një projektligji që ndryshon ligjin nr. 9374 të vitit 2005, propozohet shkrirja e Komisionit aktual të Ndihmës Shtetërore dhe zëvendësimi i tij me “Autoritetin e Kontrollit të Ndihmës Shtetërore”, i cili do të funksionojë si një organ publik me pavarësi të plotë operacionale dhe financiare.
Kusht nga Bashkimi Evropian
Kjo reformë vjen si një domosdoshmëri për të përafruar legjislacionin shqiptar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, posaçërisht me Direktivën ECN+ dhe Rregulloren e Këshillit (BE) 2015/1589. Sipas relacionit shpjegues, ristrukturimi i institucionit është gjithashtu një përgjigje direkte ndaj rekomandimeve të lëna në Raport Progresin e vitit 2025 nga Komisioni Evropian, si dhe një detyrim i parashikuar në “Agjendën Kombëtare të Reformave 2024-2027”, me afat përmbushjeje muajin dhjetor 2025.
Ndryshimet kryesore strukturore përfshijnë:
Autoriteti i ri do të ketë një Këshill Drejtues (organ vendimmarrës) prej 5 anëtarësh me mandat 5-vjeçar, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes kandidaturave alternative të propozuara nga Presidenti, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Institucioni do të ndahet qartë nga qeverisja e ekzekutivit, konkretisht nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe do të ketë një buxhet të tijin si zë i veçantë në Buxhetin e Shtetit.
Drejtimi i proceseve hetimore dhe mbajtja e regjistrit të ndihmës do t’i besohet një Sekretariati, si organ ekzekutiv-teknik.
Kritere dhe sanksione të ashpra
Për të shmangur ndikimet politike dhe për të garantuar integritetin, projektligji vendos filtra të fortë përzgjedhjeje dhe rregulla të forta pas përfundimit të mandatit.
Anëtarët e Këshillit duhet të kenë jo më pak se 10 vite përvojë profesionale, me ekspertizë të veçantë në të drejtën e konkurrencës.
Për anëtarët zbatohet parimi “cooling-off” (periudhë ndalimi) prej dy vitesh, çka do të thotë se ata nuk mund të përfaqësojnë subjekte private përpara Autoritetit apo të punësohen në kompani për të cilat kanë marrë vendime.
Nga ana tjetër, Autoriteti i ri pajiset me force ndëshkuese për të garantuar transparencën e tregut. Ligji i ri parashikon:
Gjoba administrative deri në 1% të qarkullimit gjithsej vjetor të një ndërmarrjeje nëse ajo jep informacion të pasaktë ose mashtrues.
Gjoba periodike deri në 5% të qarkullimit mesatar ditor në rastet kur subjektet refuzojnë ose vonojnë zbatimin e kërkesave për informacion.
Fatura financiare prej 55 milionë lekësh
Transformimi në një institucion të pavarur ka edhe një faturë financiare, e cila i është bashkëngjitur relacionit të përgatitur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Për vitin e parë të zbatimit (2025), buxheti i shtetit do të duhet të akordojë një fond shtesë prej 55 milionë lekësh. Kjo shumë do të shpërndahet si më poshtë:
34 milionë lekë për pagat e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe punësimin e 5 deri në 8 specialistëve të rinj në Sekretariat.
11 milionë lekë për shpenzime operative, ku përfshihen ambientet fizike, pajisjet kompjuterike dhe trajnimet për legjislacionin e BE-së.
10 milionë lekë për investime kapitale, specifikisht për krijimin e platformës online të Regjistrit të Ndihmës Shtetërore.
Për vitet 2026 dhe 2027, shpenzimet llogariten të stabilizohen përkatësisht në 47 milionë dhe 49 milionë lekë, kosto të cilat synohet të balancohen pjesërisht nga gjobat dhe tarifat e shërbimeve që do të gjenerojë vetë Autoriteti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.