Ndryshimet në Kodin Penal, ‘trondit’ ministri i Drejtësisë: 56% në paraburgim janë pa vendim gjykate
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ftuar në emisionin e sotëm “Opinion”, në Tv Klan, ka sqaruar disa pikëpyetje mbi ndryshimet e pritura në Kodin Penal, që lidhen drejtpërdrejt dhe me Prokurorinë e Posaçme.
Gogu sqaroi se ndryshimet vijnë si pasojë e jurisprudencës shqiptare, e se nuk ka lidhje me veprimet që ndërmerr SPAK-u në veprimet hetimore. Sipas tij, problemi qëndron se në vendin tonë nuk ka standard europian sa i përket paraburgimit të individëve. Ai përmendi dhe shifra, duke u shprehur se 56% e personave në paraburgim janë pa një vendim gjykate.
“Problemi është i vjetër dhe problemi është i konstatuar nga shoqëria shqiptare. Ne kemi raporte… raportet e Komitetit të Helsinkit, raportet e Avokatit të Shtetit, raportet e Komitetit të Torturës të Këshillit të Evropës që nga 2006-a që flasin për problemin e paraburgimit në Shqipëri, qoftë për numrin, qoftë edhe për kohëzgjatjen. Shqipëria në radhë të parë njëherë sapo ka kaluar një provë të madhe që janë piketat e ndërmjetme të anëtarësimit evropian dhe ne bëhemi gati të mbyllim kapitujt. Dhe një drejtësi evropiane duhet të ketë të njëjtat standarde evropiane.
Ministri e mohoi që ndryshimet të kenë të bëjnë me këto hetime dhe vuri theksin se rregullat që po ndryshojnë janë ato para se të vendosë gjykata.
“Ne nuk po ndryshojmë asnjë gjë për sa i përket Kodit Penal ku parashikohen dënimet, ku parashikohen veprat penale. Pra, veprat penale qëndrojnë ato që janë, dënimet qëndrojnë ato që janë. Mjetet hetimore që SPAK-u ka në dispozicion janë ato që janë. Afatet për të hetuar SPAK-u janë ato që janë. Kjo nuk ka lidhje me SPAK-un. Kjo ka lidhje me qytetarin që sot ndodhet në paraburgim, i cili mundet të jetë sot që flasim ne… ti ke njerëz të cilët janë në paraburgim pa vendim gjykate dhe ndryshimet që ty po të vijnë, po të vijnë si pasojë e jurisprudencës shqiptare”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.