“Ne nuk harrojmë”, studentët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit, u vihet flaka koshave të mbeturinave
Që prej orës 14:00 ka nisur protesta e kësaj të shtune, e thirrur nga studentët, të cilët janë vendosur në Rrugën e Durrësit, në afërsi të Ministrisë së Arsimit.
Gjatë tubimit, një grup të rinjsh u kanë vënë flakën dy koshave të mbeturinave në Rrugën e Durrësit, të cilët u shuan shpejt pas ndërhyrjes së policisë. Protestuesit kanë përcjellë edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, duke vijuar tubimin e tyre.
Në terren ndodhen 700 forca policie për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e sigurisë.Ashtu si në protestat e mëparshme, kërkesa e të rinjve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.
Protestuesve u janë bashkuar edhe pedagogë si dhe qytetarë që mbështesin thirrjet për reagim kundër qeverisë dhe kanë marshuar përkrah studentëve.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00.
Ky është formati i ri i organizimit që kanë zgjedhur studentët për të mbajtur gjallë protestën dhe për të vijuar presionin ndaj kryeministrit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.