NEPAL – Bllokohen mbi 100 alpinistë të huaj pasi përmbytjet goditën rajonin
GORKHA, 12 tetor /ATSH – AA/ – Mbi 100 alpinistë të huaj që kishin shkuar për ecje malore mbetën të bllokuar në distriktin malor Gorkha të Nepalit, pasi përmbytjet e menjëhershme rrëmbyen ura dhe dëmtuan shtigjet e ecjes malore gjatë fundjavës.
Pesë banorë të fshatrave, përfshirë dy gra, rezultojnë ende të zhdukur pasi një rrëshqitje dheu mes Lokpas dhe Chumlingut bllokoi lumin Budhi Gandaki, duke shkaktuar përmbytje në rrjedhën e poshtme të tij.
Md Shahadat Hossain, një alpinist nga Bangladeshi i bllokuar në fshatin Jagat, i tha Anadolu-s se nëntë shtetas bangladeshas po prisnin mundësinë e evakuimit me helikopter. “Jemi të bllokuar në Jagat që nga dje. Një vërshim i menjëhershëm u vërsul nga zona mbi fshat dhe kaloi nëpër pjesën e poshtme të tij”, tha ai.
“Jemi të sigurt, por që nga dje nuk kemi energji elektrike, komunikimi me botën e jashtme është ndërprerë dhe rezervat ushqimore po pakësohen gradualisht”, shtoi Shahadat. Ai tha se në fshat po qëndronin të strehuar në kushte të sigurta mbi 200 alpinistë që kishin shkuar për ecje malore, përfshirë edhe alpinistë nepalezë.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Nepalit për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, përmbytjet shkatërruan disa ura, dëmtuan shtëpi, dy kulla telefonike dhe 50 shtylla elektrike.
Autoriteti tha se ishin mobilizuar 437 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa katër helikopterë të ushtrisë po kryenin operacione shpëtimi. Të paktën 47 persona ishin evakuuar me helikopter, shtoi autoriteti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.