‘Nëse Sokoli do të ishte sot në PD, shumë gjëra mund të ishin ndryshe’! Flet gruaja e Olldashit
Bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, pedagogia Enkelejda Olldashi, ka marrë pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku ka komentuar situatën politike dhe revoltën e qytetarëve.
Në një prononcim për emisionin “Shqipëria Live”, ajo u shpreh se, nëse Sokol Olldashi do të ishte sot pjesë e Partisë Demokratike, shumë gjëra mund të kishin marrë një drejtim tjetër.
“Shumë gjëra mund të ishin ndryshe te forca politike ku ai (Sokol Olldashi) ishte pjesë. Nuk është përgjegjësi vetëm e kësaj qeverie, por e gjithë establishmentit që nga ’91 deri tani”, deklaroi Enkelejda Olldashi.
Ajo e cilësoi protestën si shprehje të një revolte të akumuluar ndër vite, duke theksuar se mesazhi i qytetarëve duhet të dëgjohet nga të gjithë politikanët, pavarësisht përkatësisë politike.
“Kjo revoltë, ne jemi kundër shkatërrimit, por është një revoltë e akumuluar që veshët e të gjithë politikanëve të të gjitha ngjyrave duhet ta dëgjojnë”, u shpreh ajo.
Olldashi komentoi gjithashtu edhe bojkotin e studentëve, duke theksuar se ai është një vendim i tyre dhe se pedagogët e respektojnë këtë zgjedhje.
“Bojkoti është një sjellje vullnetare e studentëve dhe askush nga pedagogët nuk e stimulon atë, por ne e respektojmë. Kur studentët nuk janë në auditor, ne duhet të jemi aty ku janë studentët dhe ne jemi aty”, deklaroi ajo.
Sokol Olldashi ishte deputet i Partisë Demokratike dhe ish-ministër i Punëve Publike dhe Transportit. Ai humbi jetën në një aksident automobilistik më 20 nëntor 2013.
Në korrik të vitit 2013, Olldashi kandidoi për kryetar të Partisë Demokratike përballë Lulzim Bashës. Ai kishte qenë gjithashtu anëtar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, ndërsa mandatin si ministër e përfundoi në shtator 2013, pas ndryshimit të qeverisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.