“New York Post”: Trump pezullon përkohësisht sulmet ndaj Iranit, por paralajmëron se lufta mund të rikthehet
– Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të ndalojë përkohësisht sulmet e reja ushtarake ndaj Iranit, ndërsa administrata e tij po vlerëson nëse Teherani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje me SHBA-në, sipas “New York Times”.
Sipas burimeve, pas 13 ditësh sulmesh të njëpasnjëshme, Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të pezullojë përkohësisht goditjet ndaj objektivave iraniane.
Megjithatë, ky vendim nuk nënkupton përfundimin e konfliktit apo një armëpushim zyrtar.
Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të rikthehet në një fushatë të gjerë ushtarake nëse Irani nuk pranon kërkesat amerikane.
Në një intervistë për televizionin francez LCI, Trump tha se, nëse Uashingtoni nuk arrin “100% të asaj që kërkon”, ai është i gatshëm të rifillojë luftën në shkallë të plotë.
“Nëse nuk marrim 100% të asaj që duam, absolutisht,” u përgjigj Trump kur u pyet nëse konflikti mund të rikthehej.
Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar një armëpushim zyrtar dhe ka bërë të qartë se opsionet ushtarake mbeten në tryezë.
Trump tha më herët se ushtria amerikane ishte “e gatshme për luftë” ndërsa vazhdonin përpjekjet diplomatike.
Konflikti zgjerohet në Lindjen e Mesme
Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit kanë rritur tensionet në rajon.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur objektiva ushtarake iraniane, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë ndaj pozicioneve amerikane dhe interesave të saj në rajon.
Ndërkohë, konflikti po shtrihet edhe në një tjetër zonë strategjike: Detin e Kuq.
Grupi Houthi në Jemen ka sulmuar objektiva saudite, duke rritur frikën për përhapjen e luftës në një korridor të rëndësishëm detar.
Rebelët Houthi pretendojnë se kanë lëshuar raketa dhe dronë kundër objekteve të kompanisë shtetërore saudite të naftës “Aramco” në qytetet Yanbu dhe Jizan.
Ky zhvillim lidhet me rëndësinë e Ngushticës Bab el-Mandeb, një kalim detar strategjik që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe ku kalon rreth 5% e tregtisë detare globale.
Milicia Houthi tha se sulmet ishin në hakmarrje ndaj goditjeve ajrore saudite kundër zonave në Jemen, ndërsa Arabia Saudite nuk ka konfirmuar publikisht sulmet ndaj objekteve të “Aramcos”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.