Nga Apolonia te Tomori, lajme shkurt për Kategorinë e Dytë
Tomori do të ketë këtë fundjavë një transfertë delikate në Sarandë, ku do të përballet me Butrintin vendas. Një sfidë e vështirë, duke pasur parasysh pretendimet e kundërshtarit dhe paraqitjet pozitive që ka bërë në këtë kampionat. Megjithatë, në kampin beratas mbizotëron optimizmi. Skuadra ka shfrytëzuar dy javët në dispozicion për t'u përgatitur maksimalisht dhe synon të kthehet nga Saranda me pikë.
Tomori provon forcat në Sarandë, Ntepe rrit sigurinë
Tomori do të ketë këtë fundjavë një transfertë delikate në Sarandë, ku do të përballet me Butrintin vendas. Një sfidë e vështirë, duke pasur parasysh pretendimet e kundërshtarit dhe paraqitjet pozitive që ka bërë në këtë kampionat. Megjithatë, në kampin beratas mbizotëron optimizmi. Skuadra ka shfrytëzuar dy javët në dispozicion për t’u përgatitur maksimalisht dhe synon të kthehet nga Saranda me pikë.
Një lajm i mirë për stafin teknik është rikthimi i mbrojtësit Frenkli Ntepe, i cili ka shlyer pezullimin dhe do të jetë sërish në dispozicion. Ai mund të aktivizohet në disa pozicione, duke i dhënë më shumë alternativa dhe siguri repartit të prapavijës. Një tjetër armë e rëndësishme për Tomorin është forma e mirë e sulmuesit nigerian Rahman, që pritet të ketë një rol vendimtar në këtë përballje.
Edhe pse Butrinti mbetet një kundërshtar për t’u vlerësuar, beratasit besojnë te potenciali i tyre. Fakti që skuadra sarandjote ka pësuar humbje në shtëpi këtë sezon, përballë Luftëtarit, u jep edhe më shumë besim miqve për të synuar një rezultat pozitiv. Vetë Ntepe, i rikthyer në formacion, shprehet optimist për këtë transfertë dhe premton angazhim maksimal në shërbim të skuadrës.
FRENKLI NTEPE:
“Do të kemi përballë një kundërshtar si Butrinti, që meriton vlerësim dhe respekt për paraqitjet pozitive në këtë kampionat. Megjithatë, ne jemi Tomori dhe kemi pretendimet tona për këtë ndeshje. Jemi përgatitur siç duhet dhe do të shkojmë në Sarandë për të kërkuar një rezultat pozitiv. Jam shumë i kënaqur që rikthehem në dispozicion të skuadrës dhe jam gati të kontribuoj maksimalisht për të arritur objektivin tonë”.
Ovusu: Apolonia ka ndryshuar, tani të krijojmë vazhdimësinë
Apolonia ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për sfidën e kësaj fundjave ndaj Albpetrolit. Pas dy ditëve pushim, të kushtëzuara nga angazhimi në Kupën e Shqipërisë dhe udhëtimi drejt Korçës, stafi teknik ka programuar dy seanca stërvitore gjatë së premtes, për të rikthyer skuadrën në ritmin e duhur. Pavarësisht ngarkesës së ditëve të fundit, gjendja fizike e futbollistëve paraqitet e mirë dhe ekipi është gati për përballjen me fqinjët patosarakë.
Në kampin fierak objektivi është i qartë, fitorja, e cila do të shërbente për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive të nisur dy javë më parë, pas emërimit të trajnerit Santiliano Dule. Fierakët gëzojnë formë të mirë dhe tani nga ekipi kërkohet vazhdimësi dhe ngjitje ne tabelën e klasifikimit. Për rëndësinë e kësaj sfide ka folur edhe futbollisti ganez 19-vjeçar, Dërrik Ovusu. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai theksoi se skuadra beson te fitorja, duke u mbështetur te forma e mirë dhe morali i lartë i krijuar pas paraqitjeve të fundit.
“Te Apolonia gjithçka ka ndryshuar dhe këtë e tregojnë rezultatet e dy javëve të fundit. Edhe loja e mirë ndaj Skënderbeut në Kupë, ku u paraqitëm si të barabartë, na ka rritur ndjeshëm besimin dhe moralin. Fitorja ndaj Albpetrolit është e rëndësishme jo vetëm për vazhdimësinë, por edhe për të na dhënë mundësinë që javë pas jave të ngjitemi gradualisht drejt dy vendeve të para të grupit. Besojmë se edhe faktori fushë do të jetë një motiv shtesë për të arritur objektivin tonë”, përfundoi futbollisti ganez i Apolonisë, Ovusu.
Çako: Të luajmë pa ndrojtje, kërkojmë pikët në Fier
Albpetroli përgatitet për një përballje të veçantë me Apoloninë, në një derbi fqinjësh që për shkak të afërsisë konsiderohet thuajse një ndeshje shtëpie për patosarakët. Pas humbjes së kontestuar ndaj Bylis B, skuadra kërkon të reagojë dhe të rikthehet te rezultatet pozitive. Interes të veçantë i jep kësaj sfide edhe fakti se të dyja ekipet kanë nga 7 pikë, ndërsa Apolonia renditet më lart vetëm falë golavarazhit.
Për drejtuesin e Albpetrolit, Endri Çako, kjo ndeshje ka edhe ngarkesë emocionale, pasi në të kaluarën ka qenë një figurë e rëndësishme e Apolonisë. Megjithatë, ai thekson se tashmë mbron interesat e klubit patosarak dhe objektivi është marrja e pikëve.
“Periudha ime te Apolonia zë një vend të veçantë në karrierën time. Ruaj respekt dhe nostalgji për ish-shokët e skuadrës, drejtuesit, tifozët dhe miqtë që kam në Fier. Por sot jam pjesë e Albpetrolit dhe vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim si profesionist. Përballja me Apoloninë është një emocion i madh personal, por për 90 minuta do të mbroj interesat e skuadrës që përfaqësoj. E respektojmë maksimalisht kundërshtarin, por do të luajmë pa ndrojtje, si të barabartë dhe me synimin për të marrë një rezultat pozitiv. Besimi te skuadra dhe paraqitja ndaj Bylisit na japin optimizëm. Shkojmë në Fier për të kërkuar pikët”, përfundoi drejtuesi i Albpetrolit, Endri Çako.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.