Kronika

Nga Memorandumi i Bashkëpunimit me SHBA, te disiplinimi i ndërtimeve të reja/ Pr.ligjet dhe projektvendimet e miratuara në Kuvend

Pas prezantimit të raportit të progresit të Shqipërisë për vitin 2020, Kuvendi vijoi normalisht punimet e seancës plenare. Seanca e sotme miratoi tre projektligje dhe dy projektvendime.

Tre projektligjet e miratuara sot nga Kuvendi, ishin: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, që u diskutuan bashkërisht, si edhe projektligji “Për ratifikimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me bashkëpunimin për përdorimin e informacioneve mbi udhëtarët”. Ndërsa, dy projektvendimet e miratuara sot ishin “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv të këtij institucioni” dhe “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin “Për gjendjen civile” të ndryshuar””.

Dy projektligjet e para, të diskutuara bashkërisht, nga deputetët e shumicës, por me dakordësi në parim edhe nga diskutuesit e tjerë, u cilësuan si fillimi i kohës së modernizimit të zhvillimit të territorit. Sipas tyre, ndryshimet zhvendosnin qasjen drejt përqendrimit mbi shkakun e problematikës së ndërtimeve pa leje, sillnin masa të forta e gati drastike për të kontrolluar më mirë territorin e për të mos lejuar ndërtimet pa leje apo shkeljet e lejeve të dhëna të ndërtimit. Diskutimet e vunë theksin te lehtësia e procesit të legalizimeve, që vijon, si edhe te sigurimi i qëndrueshmërisë dhe cilësisë ndërtimore në banesa. Në përfundim të diskutimeve, projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar”” u miratua me 86 vota pro, 11 kundër, 4 abstenime, dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” u votua me 88 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenime.

Diskutimet plenare për projektligjin “Për ratifikimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me bashkëpunimin për përdorimin e informacioneve mbi udhëtarët”, e vunë theksin te synimi i këtij projektligji për të forcuar bashkëpunimin e për të minimizuar rreziqet, që lidhen me shfrytëzimin kriminal dhe terrorist të udhëtimit ndërkombëtar, si dhe kërcënimeve të tjera në fushën e sigurisë kufitare, me anë të analizës dhe vlerësimit të informatave për pasagjerët, si një mjet për të luftuar krimin ndërkombëtar. Në përfundim të diskutimeve ky projektligj u miratua me 99 vota pro, 5 kundër.

Në përfundim të seancës, projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv të këtij institucioni” u miratua me 86 vota pro, 8 kundër dhe 9 abstenime, ndërsa projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile” të ndryshuar”” mori 86 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenime.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button