Një emër për t’u mbajtur mend; Leonis Elezaj, talenti që premton një të ardhme të madhe
Në futbollin modern, talenti nuk mjafton. Ai duhet të identifikohet herët, të kultivohet me kujdes dhe të mbështetet nga njerëzit e duhur. Kur të gjitha këto bashkohen, lindin histori që zgjojnë shpresë. Një histori e tillë është ajo e Leonis Elezajt, talentit të akademisë së Hertha Berlin.
Në moshën vetëm 11-vjeçare, Leonisi ka arritur diçka që shumë futbollistë e ëndërrojnë gjatë gjithë karrierës së tyre. Ai ka tërhequr vëmendjen e Nike, një kompanie që nuk investon te rastësia, por te potenciali, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare. Kontratat e tilla nuk janë shpërblim për atë që je sot, por besim për atë që mund të bëhesh nesër.
Duke u zhvilluar në akademinë e Hertha Berlin, Leonisi po rritet në një mjedis ku kërkohen cilësi të jashtëzakonshme. Dhe ato nuk mungojnë. Mesfushori ofensiv luan me të dyja këmbët, ka inteligjencë të spikatur futbollistike, vizion, kreativitet dhe aftësinë për të vendosur ritmin e lojës. Nuk është rastësi që sezonin e fundit regjistroi 157 gola dhe 113 asistime, statistika që, pavarësisht moshës, dëshmojnë ndikimin e tij në fushë.
Megjithatë, ajo që e bën këtë histori edhe më domethënëse nuk lidhet vetëm me futbollin. Në një kohë kur shumë talente të diasporës përballen me zgjedhje të vështira për të ardhmen e tyre ndërkombëtare, Leonisi dhe familja e tij duket se qysh tash e kanë të qartë se identiteti nuk harrohet. Vizita e tyre e sotme në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk ishte një formalitet, por një shprehje e dëshirës që ai, një ditë, ta veshë fanellën dardane. Është një ndjenjë e kultivuar në familje, një lidhje me vendin e origjinës që mbetet e fortë edhe larg Kosovës.
Sigurisht, askush nuk mund të garantojë se një fëmijë 11-vjeçar do të bëhet yll botëror. Futbolli është plot me talente që premtojnë shumë dhe me rrugëtime që marrin kthesa të papritura. Por është po aq e vërtetë se sinjalet e para kanë rëndësi. Kur një nga kompanitë më të mëdha sportive në botë investon te një fëmijë, kur ai zhvillohet në një akademi elitare dhe kur vlerësohet lart nga njohësit e futbollit në Gjermani, ka arsye të besohet se bëhet fjalë për një talent tejet të veçantë.
Kosova ka nevojë për histori të tilla. Jo vetëm për suksesin që mund të sjellin në të ardhmen, por sepse ato tregojnë se futbolli ynë vazhdon të ketë rrënjë të forta edhe në diasporë. Talente si Leonis Elezaj janë një kujtesë se investimi te brezat e rinj nuk është luks, por domosdoshmëri.
Sigurisht se do të kalojnë edhe disa vite derisa ta shohim Leonisin në një stadium të madh evropian apo me fanellën e Kombëtares së Kosovës. Ndoshta rruga do të jetë më e vështirë sesa parashikohet sot. Por një gjë është e sigurt: kur talenti, puna, familja dhe identiteti ecin së bashku, ia vlen të besohet se po lind një histori që mund të frymëzojë një brez të tërë.
Në këtë rrugëtim, mbështetja institucionale mbetet po aq e rëndësishme sa edhe talenti. Pikërisht pritja që sot presidenti i FFK-së, Agim Ademi i bëri Leonis Elezajt dhe familjes së tij duet vlerësuar. Ky takim dëshmoi edhe një herë se FFK-ja mbetet pranë talenteve, kudo që ata zhvillohen, duke ndërtuar ura me futbollistët e rinj të diasporës dhe duke investuar në të ardhmen e futbollit kosovar. Me këtë pritje, kreu i FFK-së dëshmoi se çdo talent është një pasuri kombëtare që meriton vëmendje, mbështetje dhe besim në rrugën drejt realizimit të ëndrrave të mëdha.





