“Nuk është diktaturë ende”, “Po vendimin muj me ta tregu”, Balaj prezanton vendimin e Prokurorit të Shtetit që ndalon punimet
Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj prezantoi sot vendimin e Prokurorit të Shtetit për ndalimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Fillimisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kërkoi që ta sheh vendimin, gjersa komnandati i Stacionit Policor Qendra, Fatmir Balaj tha se mund t’ia interpretoj.
“Ta shohim këtë vendim me shkrim”, tha Rama.
“Mundem me ta interpretu”, tha më tej Balaj.
Por, pas kësaj sërish reagoi Rama, duke thënë “Jo të lutem, na vyn vendimi me shkrim sepse nuk është kjo diktaturë ende, edhe pse po e shohim që po instalohet diktatura, është demokraci”.
“Po, me ta tregu mundem”, u përgjigj Balaj.
Komandanti i Stacionit policor Qendra tutje tregoi vendimin e Prokurorit të Shtetit.
“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve… Prokurori i Shtetit e ka vlerësuar kështu që në këtë rast janë dy palë, komuna e Prishtinës dhe Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike… Mediat nëse iu intereson kjo pjesë mund t’i drejtohen Zyrës së Mediave, mua nuk më lejohet me qit këtë dokument të Policisë jashtë pa autorizim”, tha ai.
E Kryetari i Prishtinës kundërshtoi arsyetimin, duke thënë se objekti ku është planifikuar të vendoset murali është pronë publike, e jo pronë e ministrisë.
“Ministria nuk është palë hiq, nuk është kjo ndërtesë e ministrisë hiq”, ka thënë më tej Rama. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.