“Nuk ju kam tradhtuar dhe nuk do e bëj kurrë!”, Rama flet nga Berati për çështjen e Zvërnecit
Në kuadër të 35 vjetorit të PS në Berat, kryeministri Edi Rama u shpreh se falë punës së Partisë Socialiste, Berati u transformua.
Rama u ndal edhe te sfidat e hershme historike, duke kujtuar periudhën pas rënies së piramidave kur përfaqësuesit e Partisë Socialiste përndiqeshin, por pa thirrur asnjëherë për hakmarrje.
“Sot Berati është vendi që ka shënjuar si një dallëndyshe të parë kthesën e trendit të ikjes dhe ardhjeve. Në Berat më shumë kthehen se sa largohen nga vendi. Në Berat njerëzit që kërkojë të gjejnë rrugën për të ndërtuar një ekonomi familjare, e gjejnë. Ishte e paimagjinueshme sot që më të rinjtë e kësaj familjeje, të imagjinojnë një vend, si ai që një pjesë e jona ka jetuar. Ku na thuhej që demokracia ka ardhur, por në të vërtet kishte një ekran të vogël që transmetonte vetëm pushtetin, kur opozita e asaj kohë, PS, dilte shumë pak sekonda vetëm me figurë dhe jo me zë.
Në ndërkohë PS në territor ishte forca e një grushti njerëzish me një mbështetje në bazë, por me shumë pak numra për t’u shfaqur si përfaqësues së PS. Përfaqësuesit e PS përndiqeshin me libër shpie. Duken si gjëra të paimagjinueshme sot, por kjo ishte Shqipëria që PS mori përsipër kur ranë piramidat e llahtarshme dhe mashtrimi më i madh i një populli. Ndër shumë gjëra që PS ka merita historike është fakti, që edhe pse doli nga një tunel i gjatë dhe i stërmundimshëm me liderin e vet të dalë nga burgu, për asnjë ditë të vetme nuk u thirri shpitave hakmarrës, por që në ditën e parë dhe në vazhdim foli me zërin e arsyes dhe të pajtimit, më zërin e ndërtimit dhe jo të shkatërrimit.“
Në fjalën e tij, ai theksoi se kjo forcë politike ka meritën historike për zgjedhjen e rrugës së arsyes, pajtimit dhe progresit në vend të përçarjes e shkatërrimit.
“Përçarje jo me PS, progres padyshim vetëm me PS. Baltë, shpifje asnjëherë më PS. Ndërtim e rregull dhe përpjekje për zhvillim gjithmonë me PS në çdo territor.“
Ndër të tjera, kryeministri nënvizoi se shpallja e Parkut Kombëtar të Vjosës ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe se qeveria e tij ka zgjeruar ndjeshëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura. Ai e cilësoi si kulmin e verbërisë dhe të keqdashjes akuzën se qeveria socialiste përbën rrezik për natyrën dhe mjedisin në Shqipëri. Duke u ndalur tek organizimet e fundit civile, kreu i ekzekutivit hodhi pikëpyetje mbi qëllimin e vërtetë të protestës mjedisore që po zhvillohet në Tiranë.
“Parku Kombëtar i Vjosës ka qenë pjesë e programit të PS. Nuk e kanë vënë në mbrojtje ata që duan ta vënë në mbrojtje nga, por e kemi vënë vetë ne. E kemi vizatuar ne, PS e Shqipërisë. Të flasësh për zonat e mbrojtura, të flasësh për natyrën në tërësi dhe t’i kthehesh qeverisë dhe PS duke e parë dhe duke i treguar me gisht si rreziku, ky është kulmi, që mund ta arrijë vetëm verbëria e kombinuar dhe dezinformomini.“
Ai sqaroi opinionin publik se askush nuk po e shkatërron natyrën dhe se pretendimet e ngritura vijnë nga dezinformimi i qytetarëve të përfshirë emocionalisht. Në përfundim të mesazhit të tij për këtë çështje, Rama garantoi se statusi i Zvërnecit nuk është cenuar apo hequr nga askush.
Ai premtoi me vendosmëri se kjo hapësirë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë.
“Që mund ta arrijë vetëm keqdashja ndaj këtij vendi, e kombinuar me ata që e duan këtë vend, por të përfshirë emocionalisht dezinformohen. Ka një protestë në Tiranë, për të mbrojtur mjedisin, por kush po e shkatërron natyrën?! Kush e ka hequr Zvërnecin zonë e mbrojtur?! Zvërneci ka qenë dhe do të jetë zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë. Ajo ka qenë dhe do të jetë zonë e mbrojtur.”
Kujtojmë se kreu i qeverisë këtë të në, 1 qershor në mbledhje me Grupin Parlamentar të PS u përgjigj të gjitha akuzave lidhur me çështjen e Zvërnecit. Ai sqaroi projektin, duke e cilësuar si një projekt të jashtëzakonshëm që do të japë një vizion krejt tjetër të Shqipërisë turistike.
Rama sqaroi gjithashtu se toka në Zvërnecin është një tokë provat, dhe shteti nuk ka pjesë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë aspak për një shitje.
Edhe në mbledhjen e paradites së kësaj të hëne dhe në takimin me socialistët në Berat, Rama u shpreh me bindje të plotë se nuk protestat vijnë për shkak të dezinformimit dhe se ai nuk e ka tradhtuar dhe nuk do e tradhtojë kurrë Shqipërinë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.