Oda Amerikane reagon përsëri: Refuzimi i gazit rrezikon partneritetin e Kosovës me SHBA-në
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i papërfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka konsideruar shqetësuese shpërfilljen që konsideron se Qeveria në detyrë po i bën Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyrorë.
Në një komunikatë për media, OEAK deklaron se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore.
“Në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike. Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës”.
Tutje OEAK ka konsideruar shqetësues faktin se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i papërfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga LVV-ja, refuzoi një projekt të mbështetur nga SHBA-ja, përmes Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për t’u lidhur me rrjetin rajonal të gazit natyror, përmes Maqedonisë së Veriut.
Asokohe, autoritetet qeveritare arsyetuan se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë” për tranzicionin energjetik të vendit.
Në periudhën e viteve 2018-2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, nxiti projektin e ndërtimit të një gazsjellësi Shkup–Prishtinë, që do ta lidhte Kosovën me rrjetin rajonal të gazit. Megjithatë, ai nuk u realizua.
Në shkurt të 2026-tës, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, kishte shprehur gatishmërinë e vendit për t’u furnizuar me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.
Kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, tha në një intervistë televizive se Qeveria është e “interesuar për gazifikimin e qymyrit tonë që është në sipërfaqe”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.